Berisha: Qëndrimi kundër ligjit të plehrave politik, Topi aleancë me Ramën

Sali Berisha në nbledhjen me grupin parlamentar të PD-së
Kreu i mazhorancës Sali Berisha duke folur për kthimin e ligjit Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve u shpreh se ligji që kaloi në Kuvend nuk ka asnjë problem. Kryeministri tha se ashtu siç Presidenti ka të drejtë Kushtetuese të kthejë ligje edhe mazhoranca në bazë të Kushtetutës do të trajtojë ligjin e kthyer.
Ai mbrojti ligjin duke thënë se pretendimet e atyre që ai i quan Aleanca e Plehut, janë për qëllime politike. Në këtë mënyrë Berisha paralajmëroi se ligji edhe pse u kthye nga presidenti për përmirësim, mazhoranca mund të kaloi pa bërë ndryshime.
Kushtetuta e vendit i njeh të drejtën presidentit për kthimin e ligjeve. Në këtë kontekst ne trajtojmë në mënyrë kushtetuese çdo ligj të kthyer nga presidenti. Ata të cilët përpiqen me aleancën e plehut të mashtrojnë të disinformojnë shqiptarët do ta gjejnë veten të dëshpëruar, tha kreu i qeverisë.
Berisha vijoi më tej duke thënë se ligji nuk u hap rrugën importimit të mbetjeve të rrezikshme si edhe çdo importim i mbetjeve do të bëhet për qëllim riciklimi.
Do ketë importim të mbetjeve jo të rrezikshme. Këto që importohen theksohet se nuk mund të importohen për ruajtje. Nuk ka ruajtje. Nuk ka depozitë. Pra mund të importohen për procesi të cilat duhet ti nënshtrohen dhe kjo është fakt që këta anëtarë të aleancës së plehut apo zotërive që duan të nxjerrin vota nga plehu ja ua fshehin qytetarëve dhe u servirin mbishkrimin e tyre, tha ai.
Berisha përveç se cilësoi qëndrimin e presidentit dhe të opozitës si politik tha se edhe shoqëria civile ka qëndrim të tillë. Kreu i PD-së foli edhe për një aleancë Topi – Rama për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që priten të mbahen në vitin 2013-të.
Kam shumë respekt për shoqërinë civile. Pavarësisht se disa prej tyre kanë përcaktim të hapur politik kundër mazhorancës kjo nuk më pengon për të gjetur racionalen në çështjet që ata ngrejnë. Unë jam mjek formimi im janë doktrinat biologjike. Bindja ime më e thellë është për Shqipërinë e zhvilluar jeshile. Këta rrëmojnë në plehra për të gjetur vota. Nuk ka asgjë më të pandershme se të fillosh dy vite para fushatës formimin të aleancës së plehut, tha Berisha para deputetëve të PD-së.
Redaksia OnLine
Florenc Stafa