E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qershori që vjen do të përsërisë 22 marsin e vitit 92

Bode, Berisha dhe Topalli në takimin e sotëm të PD-së

Partia Demokratike ka mbledhur krerët e degëve lokale dhe grupin e saj parlamentar me rastin e përgatitjeve për përkujtimin e 22 marsit të vitit 1992, fitoren e zgjedhjeve parlamentare nga kjo parti.

Kreu i kësaj partie dhe kryeministri i vendit, Sali Berisha duke folur për 20 vjetorin e përmbysjes së sistemit theksoi se PD në zgjedhjet e ardhshme do të synojë fitore të thellë gati një vit pasi kishte humbur zgjedhjet e para në të cilat merrte pjesë.

Qershori që vjen do të përsërisë 22 marsin e vitit 92, u shpreh Berisha. Sot, krahasuar me 20 vite më parë, qytetarët e këtij vendi, të rejat e të rinjtë, kanë 20 herë më shumë motive për tu bashkuar me ne

Në këtë kuadër lideri i PD-së ka nënvizuar se me 22 mars do të nis një seri e pandërprerë anëtarësimesh deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshëm parlamentare, në qershor 2013-të.

Me këtë do të synojmë të ftojmë që të bashkohen me ne, energjitë më të mira të komunitetit dhe shoqërisë. Kjo gjë është jetike, në sensin që 20 vitet që kaluan ishin vite të përpjekjeve të mëdha dhe 20 vitet që vijnë kanë nevojë për një energji të re, të gjithanshme, kanë nevojë për kontribute të reja në çdo seksion, në çdo degë e nëndegë, argumentoi Berisha.

Kryeministri duke folur për zhvillimin e vendin në këto 20 vite tha se asnjë komb, në historinë e zhvillimit, nuk ka realizuar në 20 vite, aq sa kanë realizuar shqiptarët. Nga ky zhvillim është shprehur kreu i qeverisë është krijuar klasa e mesme,e cila tha ai është garanci për stabilitet.

Është kjo klasë e mesme, e cila nga mëngjesi në darkë krijon dhe është gardiane e vlerave të krijuara; është kjo klasë e mesme, e cila në të gjitha kohërat ka qenë promotore kryesore e ndërtimit të sistemit të bazuar në vlera; është kjo klasë e mesme, e cila nuk pranon nga askush aventura. Kjo klasë është e një spektri të gjerë politik, por krijimi i saj përbën garancinë më madhore të stabilitetit të demokracisë shqiptare dhe konsolidimit të tij tha Berisha.

Pas rrëzimit të qeverisë së Partisë së Punës së dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991, gati një vit më pas u mbajtjen zgjedhjet e parakohshme, të cilat u fituan thellë nga PD.

Florenc Stafa

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›