E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Pr/ligji, dokumente pronave edhe pa tapi

Genc Pollo

TIRANË- Projektligji i qeverisë, miratuar së fundi Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, synon të formalizojë pronësinë në komuna, në tokat e bujqësore, kryesisht në ato kodrinore e malore, ku për një arsye apo një tjetër, 20 vitet e fundit, toka është ndarë, por tapitë nuk janë lëshuar. Deklarata është bërë sot nga Ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, i cili është njëkohësisht Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, gjatë një konference për mediat.

Sipas Pollos, projektligji synon që pronarëve tu lëshohen titujt e pronësisë dhe për këtë proces përgjegjës do të jenë kryetarët e këshillave të komunave.

Ky proces, dhe zbatimi rigoroz i procedurave të tij, do të monitorohet nga komisionet vendore për verifikimin e titujve të pronësisë pranë prefekturave dhe nga Drejtoritë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut dhe përfundimisht titujt e pronësisë do të regjistrohen në ZRPP. Përjashtohen nga ky proces tokat në proces gjyqësor, apo në proces legalizimi, si dhe ato për të cilat janë lëshuar tapi dhe janë regjistruar në ZRPP- theksoi ai.

Sipas tij përfitimet për pronarët dhe për shoqërinë, janë të mëdha, sepse të gjithë subjektet e këtij procesi do ta gëzojnë pronën, bazuar mbi dokumente, mund ta shesin, ta trashëgojnë dhe ta lënë si kolateral sipas normave ligjore.

Ligji ngarkon Kryetarët e Komunave/Bashkive, që për rastet kur  komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, ti plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjorë të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 Për tokën, dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›