Berisha: “Qeveria do të ndihmojë zhvillimin e biznesit social në Shqipëri”
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në seminarin me temë “Lëvizja gjithëpërfshirëse e biznesit social në Shqipëri”, e iniciuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me “Grameen Creative Lab”. “Grameen Creative Lab” është një iniciativë në fushën e biznesit social, e frymëzuar nga Mohammad Yunus, një personalitet i njohur në botën e financës, i cili është nismëtari i revolucionit financiar të mikrokreditimit, promotor kryesor i biznesit social dhe luftëtar i madh i një bote pa varfëri. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin themeluesi i “Grameen Creative Lab”, Hans Reitz, përfaqësues të tjerë të kësaj nisme, ministra të kabinetit qeveritar e përfaqësues të institucioneve ekonomike të vendit. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, vlerësoi inicimin e lëvizjes gjithëpërfshirëse të biznesit social në Shqipëri. Duke u ndalur në luftën e madhe kundër varfërisë në vend, kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ka një rekord të shkëlqyer në luftën kundër varfërisë dhe sipas statistikave të fundit, varfëria është rreth 12 për qind, ndërkohë që varfëria ekstreme ka pasur një rënie edhe më të madhe. Por, nënvizoi kryeministri, sërish këto shifra janë realisht shqetësuese dhe harta e varfërisë në këtë vend zvogëlohet me shumë vështirësi. Në këtë drejtim, kryeministri shprehu besimin se bashkëpunimi me “Grameen Creative Lab” dhe zhvillimi i biznesit social në Shqipëri do të kontribuojë ndjeshëm në reduktimin e varfërisë. Ndërsa themeluesi i “Grameen Creative Lab”, z. Hans, vlerësoi ndryshimet e mëdha në Shqipëri. Ai theksoi më tej se kontributi i tyre në Shqipëri do të konsistojë në ndryshimin e cilësisë së jetës në familjet shqiptare, duke u ofruar mundësi për lehtësimin e jetesën së tyre apo bizneseve sociale.
23 Janar 2010