E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, dëshmia e rojës: “Fabrika nisi të funksionojë pa u dhënë një vendim qeverie”

Beqir Prini dëshmoi në Gjykatë se ishte punësuar që në shkurt të 2007-s
Laureta Rryci

Fabrika e demontimit të fishekëve nisi të funksiononte para se të merreshin vendimet e Këshillit të Ministrave për ta lejuar një aktivitet të tillë në ambiente ushtarake. Dëshmia, që duket se do të përdoret fort edhe nga grupi i prokurorëve, është bërë në seancën e procesit të Gërdecit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Beqir Prini, dëshmitar i thirrur nga prokuroria, ka dëshmuar në Gjykatë se ishte punësuar nga Dritan Minxolli që në shkurt të vitit 2007 si roje të një hapësire në të cilën po sistemohej për t’u ngritur më pas fabrika e demontimit. Dëshmia e 56-vjeçarit tashmë është regjistruar së fundi në procesverbalet e mbajtura në Gjykatë dhe pritet të cilësohet si një nga dëshmitë e forta që provojnë implikimin e shtetit me fabrikën e demontimit. Sipas Prokurorisë, qeveria vetëm një muaj më pas përcaktoi vendin ku do të demontoheshin municione. Po sipas Prokurorisë, pas vendimit të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes i janë dashur edhe tre muaj që të nxjerrë një urdhër për përzgjedhjen e kompanisë së huaj “Sac” dhe shoqërinë e nënkontraktuar “Albademil” për procedurën e shitjes së municioneve me gëzhojë tunxhi. Por, sipas prokurorëve, nëse ballafaqohen dokumentet e sekuestruara që përshkruajnë si u hap rruga për Gërdecin dhe dëshminë e ish-rojës, hidhet dritë mbi rrethana të reja që venë në pozitë jo vetëm të pandehurit.
Dëshmia
Dëshmitari Prini ka deklaruar se në fillimet e punës së tij, përkatësisht gjatë muajit shkurt 2007 si roje, kishte parë të vinin e të sistemonin vendin Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli së bashku me persona të tjerë. Ai paguhej me 20 mijë lekë në muaj dhe detyra e tij ishte thjesht të ruante ambientin që po sistemohej nga fadromat dhe makinat e tjera të tonazhit të rëndë. Sipas Prokurorisë, kjo dëshmi është e rëndësishme pasi sipas deklaratave të ish-rojës, nëse do t'i referohemi periudhës kur Prini punonte në fabrikën e Gërdecit, është e njëjta kohë që sipas dokumenteve po zhvillohej edhe beteja për të krijuar këtë fabrikë. Më pas Prini ka dëshmuar se në kohën kur filloi fabrika të punonte ai është pushuar nga puna. Me demontimin e fishekëve ishte punësuar pas qershorit bashkëshortja e tij, Bukuria, e cila është një nga ish-punëtoret që ka mbetur më shumë e dëmtuar në ditën e shpërthimit. Prini dëshmoi një seancë më parë, ndërsa dje ishte sërish në Gjykatën e Shkallës së Parë pasi shoqëronte bashkëshorten e tij, e cila ishte thirrur në cilësinë e dëshmitares. Për shkak të gjendjes së saj shëndetësore ai kërkonte që e shoqja të dëshmonte e para, pasi nuk ishte në gjendje të priste me orë të tëra.
Seanca
Megjithëse në seancën e djeshme kishin ardhur për të dëshmuar 10 persona, ata nuk mundën të flisnin para trupës gjyqësore pasi mungonin disa avokatë. Më shumë se katër avokatë mungonin në sallën e gjyqit pa dhënë, sipas Gjykatës, asnjë shkak të ligjshëm që justifikonte mungesën e tyre. Kryetari i trupit gjykues u shpreh se për këtë kishte ndër mend t’i shkruante Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Seancat e këtij procesi, përveç misionit “Euralius” po ndiqen edhe nga vëzhgues të OSBE-së.

Boc

Një ndeshje futbolli shtyn seancën e radhës për Gërdecin

Seanca e radhës për procesin e Gërdecit do të shtyhet për shkak të një aktiviteti të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Në seancën gjyqësore të radhës, avokati i të pandehurve kryesorë, Mihal Delijorgji dhe kompanisë "Albademil", Maksim Haxhia, i cili është njëkohësisht edhe kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ka bërë të ditur se 80 avokatë do të udhëtojnë drejt Italisë për të parë ndeshjen Milan- Inter. Si organizator i këtij udhëtimi, Maks Haxhia i ka kërkuar leje gjykatës që të hënën e javës që vjen të mos planifikohet seanca, ndërkohë që shumica e avokatëve që janë të përfshirë në udhëtim mbrojnë të pandehurit e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit.

Urdhrat dhe vendimet e Këshillit të Ministrave mbi ndërtimin e fabrikës në Gërdec

1. Procesi i çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve është kryer në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 138, datë 14.03.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni“ dhe në mbështetje të urdhrave të ish-ministrit të Mbrojtjes, të pandehurit Fatmir Mediu:

UMM Nr. 550, datë 25.04.2007 “Për zbatimin e Vendimit Nr. 138, datë 14.03.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi” përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”.

UMM Nr. 1208, datë 19.07.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi” përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”.

UMM Nr. 1300, datë 07.08.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi” përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”.
UMM Nr. 2044, datë 07.12.2007, “Për kalim municioni ndërmarrjes “MEICO”.
Në urdhrat nr. 550, datë 25.04.2007 dhe nr. 2044, datë 07.12.2007, të ish-ministrit të Mbrojtjes, të pandehurit Fatmir Mediu, është urdhëruar ndërmarrja “MEICO” që të lidhte kontrata për shitjen, çmontim dhe çmilitarizim të municioneve të kalibrave 7.62 mm – 152 mm, me shoqërinë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” (SAC). Mbi këtë bazë, ndërmarrja “MEICO”, e përfaqësuar nga i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtor i kësaj ndërmarrjeje dhe shoqëria amerikane “SAC”, e përfaqësuar nga shtetasi amerikan Patrick C. Henry III, kanë lidhur kontratat nr. 1, datë 06.06.2007 dhe nr. 2, datë 28.12.2007, për shitblerjen e municioneve dhe zhvillimin e aktivitetit të biznesit për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre. Pas lidhjes së kontratave me ndërmarrjen “MEICO”, shoqëria amerikane “SAC” ka lidhur dy kontrata, datë 07.06.2007 dhe datë 31.12.2007 me shoqërinë “Albademil” sh.p.k., person juridik i pandehur në këtë proces, e përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji, ortak dhe administrator kryesor i kësaj shoqërie, për blerjen prej saj të municioneve dhe realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre, si dhe për shitjen e nënprodukteve të përfituara nga ky proces.

Pasojat e tragjedisë në shifra zyrtare

27 persona të plagosur rëndë, të përshkruar në aneksin nr. 1, bashkëlidhur;

109 personave të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 2, bashkëlidhur;

67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 3, bashkëlidhur;

61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, të përshkruar në aneksin nr. 4, bashkëlidhur;

5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale, të përshkruar në aneksin nr.5, bashkëlidhur. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›