Procedurat e reja që duhet të ndjekin ish-pronarët në AKKP-në qendrore
AKKP-ja qendrore do të rikonfirmojë të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga rrethet
Laureta Rryçi
Shkrirja e zyrave rajonale të agjencive të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe grumbullimi i të gjitha dosjeve në AKKP-në qendrore i ka detyruar drejtuesit e këtij institucioni të ndryshojnë procedurat e shqyrtimit të kërkesave. Për këtë shkak, ish-pronarët, si nga rrethet, ashtu dhe në Tiranë, duhet t’i ndjekin këto rregulla nëse duan që kërkesa e tyre të shqyrtohet në kohë. Ndryshimet në procedura, pasi u kaluan me vendim të Këshillit të Ministrave, tashmë janë botuar edhe në Fletoren Zyrtare, kështu që pritet që të nisë zbatimi në ditët e para të muajit shkurt. Sipas procedurave të reja, specialistët e AKKP-së qendrore e kanë të detyrueshme që të rikonfirmojnë edhe njëherë dokumentet që kanë dosjet e ardhura nga zyrat rajonale të agjencive të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Detyrat
Sipas ndryshimeve që janë bërë në ligjin për funksionimin e AKKP-së, thuhet se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave tani e tutje duhet të përfundojë brenda afatit ligjor shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për njohjen dhe kthimin e të drejtës së kompensimit, të depozituara në ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe, për të cilat nuk është marrë vendim nga këto zyra. Po zyra qendrore duhet fillimisht që të kontrollojë, të vlerësojë dhe të konfirmojë tërësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë
e tij me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi; vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara përmes ballafaqimit me aktet ligjore e nënligjore ose vendimet gjyqësore, të cilat kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e
padrejtë të pronës nga shteti. Pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së duhet të shprehet me vendim brenda tre muajve nga nisja e procedimit të trajtimit të kërkesës për: rrëzimin e kërkesës ose njohjen, sipas rastit, të së drejtës së pronësisë, kthimin a kompensimin e pasurisë dhe të të drejtave të tjera reale që parashikohen sipas këtij ligji.
Shqyrtimi
Tani përfundon shqyrtimi i ankimeve kundër vendimit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, si edhe i të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të depozituara në AKKP brenda afatit për ushtrimin e të drejtës së ankimimit. Pas shqyrtimit të ankimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos: rrëzimin e ankesës dhe lënien në fuqi të vendimit ose
shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
Pas shqyrtimit e vlerësimit të ankimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos: rrëzimin e ankesës ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Përfundon shqyrtimin e verifikimit të vlefshmërisë ligjore të rasteve për të cilat drejtori i Përgjithshëm, me nismën e vet ose kryesisht, ka urdhëruar shqyrtimin e tyre. Pas vlerësimit e shqyrtimit, me nismën e vet ose kryesisht, të rastit të urdhëruar, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda tre muajve nga nisja e procedimit të ankesës, e ka për detyrë të vendosë: lënien në fuqi të vendimit ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Drejtori i Përgjithshëm mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve. Vlerëson rekomandimet e autoriteteve të ngarkuara për monitorimin e zbatimit të ligjit. Kreu i AKKP-së pranon, shqyrton dhe vlerëson kërkesat për përfitimin e të drejtës së njohur për
kompensim, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në fuqi. Verifikon dhe llogarit detyrimet financiare që i lindin shtetit për subjektet e shpronësuara ose për të tretët sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj. Depoziton për regjistrim aktet e njohjes, të kthimit ose kompensimit të pronave dhe të të drejtave reale të lidhura me to në regjistrat e pasurisë së paluajtshme. AKKP-ja, për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara në këtë nen, bashkëpunon me institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike.
Shqyrtimi i vendimit kryesisht
AKKP-ja përfundon shqyrtimin e ankimeve kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, të kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave
rajonale të AKKP-së në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-
pronarëve. AKKP-ja mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore të rretheve a bashkive për kthimin ose
kompensimin e pronave ish-pronarëve, të cilat, për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit të kohës, i bëjnë këto vendime absolutisht të pavlefshme.
Rastet kur mund të ankimohet
Drejtuesit e AKKP-së shprehen se tani që dosjet ndodhen në zyrën qendrore shqyrtimet, do të bëhen në një kohë më të shkurtër. Megjithatë, pavarësish vendimeve që do të jepen për këto 8 mijë kërkesa, qytetarët që nuk kanë qenë dakord e kanë ankimuar atë në gjykatë. Kështu, procesi, deri në një saktësim të pronarit të ligjshëm ka vijuar për shumë kohë. Sipas legjislacionit, kur qytetarët nuk janë dakord me vendimin e AKKP-së qendrore, kanë të drejtë të bëjnë ankimim vetëm pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Ky ankimim cilësohet i vlefshëm vetëm nëse bëhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të AKKP-së. Pikërisht këtë përcaktim ligjor kanë shfrytëzuar 1 mijë qytetarët që i janë drejtuar Gjykatës. Burime pranë kësaj gjykate shpjegojnë se padi me objekt shfuqizimin e vendimit të AKKP-së depozitohen thuajse çdo ditë. Sipas të dhënave zyrtare pranë kësaj gjykate, procese të tilla civile zgjasin 460 ditë vetëm në shkallën e parë. Më pas, vendimi, që të marrë formën e prerë, duhet të kalojë të gjitha shkallët e Gjyqësorit, që me një kalkulim të përafërt, duhen rreth tre vjet. AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër. Jo më vonë se 45 ditë nga regjistrimi i ankimimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së merr vendim për objektin e ankimimit. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së është i detyruar të vendosë ose lënien në fuqi të vendimit, ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij. Kundër vendimit për lënie në fuqi të vendimit të AKKP-së së zyrës rajonale, ankimi kryhet pranë gjykatës së rrethit në territorin e qarkut ku ka vendndodhjen zyra rajonale e AKKP-së së qarkut dhe mbrojtja e interesave të AKKP-së kryhet nga zyra rajonale e AKKP-së së qarkut. Kur vendimi zgjidh çështjen në themel, ankimi kryhet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër.
Rastet kur njihet e drejta e pronësisë dhe kthimi i pronës
Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 100 ha, në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) nuk kanë përfituar nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.
Kur subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) kanë përfituar tokë nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, atëherë sipërfaqja që kthehet apo kompensohet, sipas këtij ligji, llogaritet si diferencë ndërmjet pjesës që do t'i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me sipërfaqen që secili prej tyre ka përfituar nga zbatimi i këtij ligji.
U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit Nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar.
Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore-shkencore dhe në çdo veprimtari tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore, por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.
Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord për t’i përdorur për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar.
Kur investimi është kryer mbi një tokë pronë publike, subjekti kontraktues i paguan shtetit brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimin e tregut. Të ardhurat e realizuara nga shitja përfshihen në fondin e kompensimit të pronave.
23 Janar 2010