E Diel, 1 Nëntor 2026

Mëhilli: “Rama po keqinterpreton projektrezolutën e KE-së”

Gjatë ditës së djeshme ka reaguar selia blu, që nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, Erla Mëhilli, është shprehur se Rama po keqinterpreton projektrezolutën e KE-së. Sipas Mëhillit, në rezolutë denoncohet bojkoti i opozitës dhe i bëhet thirrje kësaj të fundit të kthehet menjëherë në Kuvend. “Duke e keqinterpretuar rezolutën, e cila denoncon bojkotin në çdo paragraf të saj dhe kërkon njohjen dhe respektimin e institucioneve, Edvin Kristaq Rama dhe suita e bllokmenëve të rinj, bazuar në doktrinën e revolucionit permanent, shpallën se fajin nuk e ka bojkoti, por e kanë institucionet, të cilat duhet t’i binden vullnetit të Ramës dhe siç deklaroi ai mbrëmë, në monologun e tij, qoftë edhe me dhunë”, - është shprehur Mëhilli. Më tej ajo theksoi se “Partia Demokratike vlerëson kërkesën e drejtë të rezolutës së Këshillit të Europës për hyrjen e opozitës në Parlament dhe ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet, ofertë të cilën kjo parti e ka përsëritur me dhjetëra herë gjatë këtyre muajve, kurse atyre që nisur nga doktrina e revolucionit permanent apo nga trashëgimia e tyre historike e biologjike kërcënojnë me dhunë dhe përdorimin e saj, PD-ja u deklaron se ligji, ligji dhe vetëm ligji dhe mbrojtja e institucioneve kushtetuese nga cilido është qëndrimi i saj i prerë”, - ka përfunduar Mëhilli.

Xhaçka: “Meta ka mankth se mandati i tij i falur nga Berisha i përket PS-së”

Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Ilir Meta ka reaguar dje selia rozë nëpërmjet deputetes Olta Xhaçka. Gjatë një deklarate Xhaçka e ka cilësuar Metën patericën e Sali Berishës dhe se ai ka frikë nga mandati i falur në Tiranë nga kreu i PD-së, pasi ky mandat, sipas saj, i përket PS-së. “Paterica e Sali Topallit, pasi shiti 80 mijë votat e shqiptarëve për t’u ulur në prehrin e plakut Berisha, po tregon çdo ditë e më shumë ankthin e vërtetë të tij. Ilir Meta nuk ka problemin e Kushtetutës, as të ligjit e as të ndërkombëtarëve, pasi ai e di se kërkesat e popullit opozitar janë të ligjshme dhe tashmë të mbështetura dhe nga faktori ndërkombëtar. Por makthi i madh i Ilir Metës është fakti se ai e di se mandati i tij i falur nga Sali Berisha në Tiranë është një prej mandateve të vjedhura nga Partia Socialiste. Kjo është frika e Ilir Metës, frika se hapja e kutive do të nxjerrë në dritë dhe pazarin e tij të vërtetë me Sali Berishën”, - është shprehur Xhaçka.

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›