E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Rama të heqë dorë nga thirrjet për të rrëzuar qeverinë”

“Kërkesa e PS-së, në kundërshtim me mesazhet e ndërkombëtarëve”. Ministri i Jashtëm shprehet se mesazhet e Presidentit kanë qenë konstruktive
Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri Ilir Meta i ka bërë thirrje dje kryetarit të opozitës që të reflektojë për qëndrimin e tij dhe të heqë dorë nga thirrjet për të rrëzuar qeverinë. Ndërsa i është referuar edhe projekt-rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KE-së, Meta i ka bërë thirrje Ramës që të lexojë me vëmendje mesazhet e ndërkombëtarëve dhe të heqë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Sipas Metës, thirrjet e Ramës për rrëzim pushteti me dhunë janë të vjetruara dhe se vendi nuk ndodhet në të njëjtën situatë si në vitin 1990, por është shumë hapa përpara dhe gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve. Zëvendëskryeministri përsëriti edhe njëherë qëndrimin e maxhorancës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar ku shumicën e votave ta ketë opozita, por që të mos hapen kutitë e votimit, pasi kjo bie ndesh me vendimet e gjykatave.
Hetimi
“Ngritja e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit është në radhë të parë një kërkesë e vetë qeverisë dhe e maxhorancës, e cila ka bërë publike vullnetin e saj për transparencë të plotë për të hetuar për gjithçka që ka të bëjë, natyrisht, me ato pretendime që janë ngritur nga opozita, por që sigurisht nuk cenojnë Kushtetutën dhe nuk cenojnë pavarësinë e gjykatave. Kështu që maxhoranca dhe qeveria kanë bërë të qartë se janë të hapura për ta krijuar këtë komision, madje dhe për t’i dhënë edhe shumicën në këtë komision opozitës, gjë që nuk është e zakonshme, sepse shumica gjithmonë i takon maxhorancës. Ky është një tregues i vullnetit të saj dhe tolerancës në këtë drejtim”, - është shprehur Meta, ndërsa ka shprehur keqardhjen për qëndrimin e opozitës. “Është për të ardhur keq që ka një mungesë serioziteti në deklarimet e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, si në këtë propozim që ka ardhur nga raporterët e KE-së, ashtu si dhe në rastet e tjera. Përfaqësuesit e PS-së përshëndesin një ditë, dhe ditën tjetër dalin kundër këtyre sugjerimeve tepër konstruktive, të cilat synojnë forcimin e institucioneve demokratike në vend, forcimin e parlamentarizmit dhe, natyrisht, zhvillimin e një dialogu politik konstruktiv midis maxhorancës dhe opozitës. Jo vetëm kaq, por deklaratat e djeshme të z. Rama për përmbysjen e pushtetit me dhunë dhe për përmbysjen e kutive bashkë me qeverinë, janë vërtet alarmante dhe lënë për të kuptuar degradimin e politikës së partisë më të madhe të opozitës”, - është shprehur ministri i Punëve të Jashtme. Më tej ai i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga ky qëndrim destruktiv. “Rama bën thirrje për t’u kthyer në vitet ‘90 për të rrëzuar qeverinë dhe pushtetin me demonstrata dhe përmes rrugës. Por ata harrojnë që Shqipëria tashmë ka një përvojë prej gati dy dekadash në demokraci. Nuk është më viti 1990 sepse Shqipëria, në vitin 1990 nuk kishte Parlament; Shqipëria, në vitin 1990 nuk kishte as OSBE, as ODIHR për të vlerësuar standardet e zgjedhjeve dhe për t’i certifikuar ato. Shqipëria nuk ishte në vitin 1990 as anëtare e NATO-s dhe nuk kishte këtë rol që ka sot, i cili vlerësohet nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Ndaj ka ardhur koha që kryetari i PS-së të heqë dorë nga thirrjet e dhunshme për të përmbysur qeverinë me dhunë. Ka ardhur koha që të reflektojë dhe të dëgjojë mesazhet e ndërkombëtarëve, por edhe mesazhet e qeverisë, të maxhorancës, madje do të thosha edhe mesazhet e shumë zërave të njohur brenda PS-së apo në opozitë që janë kundër kësaj sjelljeje apo që, në fund të fundit, është një sjellje shumë e vjetër, e lënë tashmë pas nga Shqipëria dhe shqiptarët”, - është shprehur numri dy i qeverisë.
Presidenti
Përsa i përket rolit të Presidentit në një situatë të tillë politike, Meta është shprehur se kreu i shtetit po mban një qëndrim kushtetues dhe se mesazhet e tij kanë qenë në të njëjtën linjë me ato të ndërkombëtarëve. “Absolutisht Presidenti i Republikës është një figurë shumë e respektuar nga të gjithë, në veçanti edhe nga LSI-ja dhe nga unë personalisht. Mendoj se përpjekjet dhe mesazhet e tij kanë qenë shumë të qarta dhe konstruktive, kanë qenë në një linjë edhe me pozicionin e tij kushtetues, por dhe në një linjë me ato të faktorit ndërkombëtar. Është për të ardhur keq se të gjitha rrugët e dialogut i bllokon, për fat të keq, kryetari i PS-së, i cili në kundërshtim me mesazhet e qarta të ndërkombëtarëve, këmbëngul në diçka që e di dhe vetë që nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë kurrë”, - është shprehur Meta.

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›