Berisha: Qeveria do të ndjekë politikë të ashpër për shpenzimet publike
Informova delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar se ne çdo vit do të jemi më të ashpër se vetë politika e FMN-së. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne i kemi marrë këto vendime, sepse, së pari, ne i realizojmë plotësisht objektivat më madhore dhe në këtë politikë shtrënguese, tha kryeministri Berisha. Ai theksoi se qeveria do ti jap përparësi nxitjes së investimeve dhe politikave rigoroze ekonomike. Në raportin e shpenzimeve publike dhe investimeve ne duhet ti japim përparësi nxitjes së investimeve dhe politikat ekonomike rigoroze. Natyrisht, ju rrisni rroga dhe pensione, ato nuk preken. Janë mesazhi më i shkëlqyer që i dërgohet biznesit. Ndaj dhe ne kemi vendosur që të qëndrojmë në një linjë ashpërsie lidhur me shpenzimet publike në mënyrë që biznesi të ketë garancitë më maksimale për stabilitetin makroekonomik të vendit, theksoi kryeministri Berisha. Ai u ndal edhe tek reforma e inspektorateve, për të cilën sipas kryeministrit Berisha, është punuar për më shumë se një vit e gjysme me ekspertët më të mirë të Evropës e të botës dhe tani po shkon drejt finalizimit të saj. Sistemi i inspektorateve të vendit do të jetë një sistem modern, transparent, on-line. Do të jetë një sistem tërësisht tjetër. Reformë e thellë dhe e gjithanshme po ecën në drejtim të investimeve private. Ai biznes pësoi një tjetër transformim shumë të madh, u shpreh Berisha. Gjithashtu kreu i qeverisë informoi se në Shqipëri do të krijohet Agjencia Kombëtare e Investimeve Private me një bord vendimmarrësish më kryesore. Është shqyrtuar legjislacioni i zonave, i cili na rezulton se është shumë i mirë, por në rast se do të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme ato do të bëhen, tha kreu i qeverisë. Ai u ndal gjithashtu tek eksportet, ku rikujtoi se Shqipëria ka rritjen më të madhe të eksporteve. Këto dy muaj nuk ka vend tjetër të ketë rritje sa Shqipëria në eksportet e saj. Natyrisht në këtë rritje eksportesh, të cilat janë në vlerë mbi dyfishi i dy muajve të parë të vitit 2009, një peshë specifike, por jo kryesore, zë edhe energjia. Çdo ditë po eksportohet mbi 10 milionë kilovat/orë. Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë një eksport të tillë. Ne vërtetë patëm përmbytje, e cila ishte e dhimbshme, por ndërkohë prodhimi i energjisë ka njohur shifra të paimagjinueshme, mbi 700 milionë kilovat/orë në muaj, sepse agregatët kanë qenë të gjithë rindërtuar, të ristrukturuar, të vendosur në komandat më moderne, tha kryeministri Berisha.
Last Updated on E Hene, 08 Mars 2010 22:04