Berisha: Qeveria, e vendosur të mbrojë investimet e huaja nga pretenduesit abuzues të pronave
Kryeministri Berisha, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, nënvizoi vendimin mbi “Për disa shtesa në ligjin “Për investimet e huaja” , i cili është një nismë ligjore që synon të trajtojë çështje dhe probleme me të cilat po përballet sot Shqipëria, në fushën e investimeve të huaja, duke adresuar zgjidhje konkrete në dobi të interesit publik dhe sigurisë juridike të vendit. Kreu i ekzekutivit u shpreh se hartimi këtij vendimi përbën një zhvillim të ri, substancial, për të garantuar të gjithë stabilitetin e nevojshëm të investitorëve. “Pretendime nga më absurdet, viktimizojnë në raste të caktuara investitorët. Njerëz që nuk kanë pasur asnjë pretendim pronësor, për toka apo parcela te caktuara, sapo marrin vesh se një investitor nis të investojë, ngërthen në veprime mafioze, hapin padira vetëm e vetëm që ta gjobisin, kërkojnë 50 mijë euro që të ndërpresin procesin. Këta njerëz duhet të merren me shtetin. T’ia kërkojnë këtë shtetit”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se shteti do të dëmshpërblejë të gjithë pretenduesit e ndershëm, deri në qindarkën e fundit, por aty ku konstatohen shkelje dhe abuzime, ata do të marrin përgjigjen e merituar nga ligji.