E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përfundon vizitën zyrtare në Gjermani, me ftesë të homologut të tij

Presidenti i Republikës,Bamir Topi, përfundoi sot vizitën dyditore zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë me ftesë të homologut të tij, Horst Këlerit. Gjatë kësaj vizite të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, Kreu i shtetit shqiptar shoqërohej nga një delegacion i përbërë nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, Zëvendësministri i Kulturës, Nikollë Lesi, nga deputetë dhe ish-deputetë, nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Gjatë takimit me Presidentin gjerman, Këler, Topi diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të Shqipërisë në strukturat evropiane si dhe për liberalizimin e regjimit të vizave, për mundësitë e thellimit dhe zgjerimit të këtyre marrëdhënieve në fusha të ndryshme. Në këtë kuadër ai e ftoi Presidentin Këler për një vizitë zyrtare në Shqipëri, dhe homologu i tij gjerman e pranoi me kënaqësi këtë ftesë. Një etapë tjetër e rëndësishme e vizitës së Kreut të Shtetit shqiptar, i cili shoqërohej nga një grup mjaft dinjitoz sipërmarrësish të suksesshëm shqiptarë, ishte edhe pjesëmarrja dhe përshëndetja në Forumin e përbashkët gjermano-shqiptar të biznesit. “Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Topi vuri në dukje ndryshimet rrënjësore që ka pësuar vendi ynë gjatë këtyre dy dekadave duke u shndërruar në njërin prej vendeve më tërheqëse për investitorët e huaj, me ekonomi të qëndrueshme, sidomos me lehtësitë fiskale dhe legjislative, me sigurinë e institucioneve si dhe fushat e ndryshme të ekonomisë e industrisë ku mund të zgjerohen e të thellohen më tej marrëdhëniet ekonomiko-tregtare me investitorë seriozë siç janë ata gjermanë”, njofton zyra e shtypit e Presidencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›