Berisha: Qeveria greke nuk ndikohet nga klithmat ekstremiste në marrëdhëniet me Shqipërinë
Kryeministri Berisha deklaroi dje se të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri kanë përbërë për qeverinë shqiptare një përmirësim madhor dhe ka shumë vendime, të cilat nuk janë marrë nga vende të tjera të rajonit siç janë marrë nga Shqipëria në favor të minoriteteve. Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e vazhdueshëm të këtyre të drejtave.
Lidhur me deklaratat në media për presione ndaj qeverisë greke për mosratifikimin e MSA-së, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se qeveria greke nuk ndikohet nga klithmat ekstremiste dhe se ka një dialog konstant me qeverinë shqiptare.“Qeveria greke nuk ndikohet nga klithma ekstremiste ngado që t`i shkojnë ato. Është një qeveri demokratike, një qeveri që punon dhe ka faktuar se punon për marrëdhënie miqësore dhe normale me Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit”, u shpreh Kryeministri Berisha.