Këshilli i ministrave miraton projektligjin e ri për Prokurorinë
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij radhës mori në shqyrtim projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë i ndryshuar”. Lidhur me këtë projektligj të rëndësishëm, Kryeministri Berisha u shpreh se ai është fryt i një bashkëpunimi të gjatë shumë mujor midis institucioneve dhe një ekspertize të shkëlqyer të dy misioneve që asistojnë institucionet e vendit në fushën e ligjeve, euroagjencitë dhe OPDAT.
Duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për hartimin e tij, në mënyrë të veçantë Ministrin Alibeaj dhe stafin e tij, Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që ta shqyrtojë këtë draft, duke paraqitur të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet , për të kaluar më pas në një miratim të përbashkët.
“Shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të gjithë ata që kontribuuan, Ministrin Alibeaj dhe stafin e tij për punën shumë të mirë që kanë bërë ,por shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje opozitës që këtë draft ta shqyrtojë, të bëjë vërejtjet e veta, të paraqesë mendimet, sugjerimet dhe ta miratojmë bashkërisht. Pavarësisht nga përpjekjet për politizimin e këtij institucioni,opozita aq sa qeveria duhet të jetë e interesuar për një institucion të pavarur akuze në variantin për të cilin ka një dakortësi të plotë ,
Me tej, kryeministri Berisha u shpreh se “Ky model që është në vazhdimësinë e një modeli që ka ekzistuar këtu prej 18 vitesh, pavarësisht nga ndryshimet e qeverive, krijon të gjitha garancitë e pavarësisë së tij nga ekzekutivi sikundër të gjitha garancitë e varësisë së tij nga ligji, e përgjegjshmërisë së tij para ligjit. Shpresoj që opozita të shohë në këtë institucion, domosdoshmërinë e pavarësisë dhe funksionimit të tij, sipas ligjit, si interesi më i mirë i opozitës, qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Ndaj dhe unë shpresoj që të arrijmë në një lloj mirëkuptimi.”