Berisha: Qeveria i ka të gjitha fondet për financimin e projekteve në infrastukturë

Kryeministri Sali Berisha, gjatë një interviste televizive të premten në mbrëmje, deklaroi se qeveria i ka të gjitha fondet për realizimin e projekteve në infrastrukturë, të parashikuara në programin qeverisës. "I kemi paratë qindarkë për qindarkë. Aksi Tiranë-Elbasan do të jetë aksi më i shkurtër gjithsej 25 km. Ky variant është më i miri se variantet e tjera. Ky variant është me tunel 2.7 km. Do të fillohet dhe me punën se projekti ka përfundur dhe fillon brenda vitit 2010. Boshti i Jugut, Papër-Berat përfundon në 2010-ën, ndërkohë po punohet për projektin Berat-Memaliaj, i cili është shumë i kushtueshëm, por për këtë kam premtime shumë serioze nga Kuvajti. Rruga e Arbërit do të përfundojë në vitin 2011,e tëra me buxhetin e shtetit. Qafë-Plloçë-Qukës brenda 2011-s përfundon e tëra me buxhetin e shtetit. Autostrada Shkodër-Vlorë do të përfundojë e tëra me buxhetin e shtetit. Janë mijëra rrugë rurale që do të përfundojnë", informoi Kryeministri Berisha. Ai tha se edhe në investimet në ujësjellësa do të jetë buxheti i shtetit që do të financojë. "Tirana, ka probleme në rrjet se ujë ka. I kam kërkuar Drejtorisë së Ujësjellësit të parashtrojë të gjitha projektet për shtrirje të rrjetit. Taksa e infrastrukturës kthehet e gjitha në rroga, atë e merr pushteti vendor. Pushteti vendor duhet ta përdorë për infrastukturë", shpjegoi Kryeministri. Lidhur me projektin e Unazës së madhe, ai tha se "ka përfunduar tërësisht projekti që fillon tek ura e Limuthit dhe mbaron tek ura e Brarit, ku është dalja e rrugës së Arbërit. Janë shumë kompani të interesuara për ta marrë me koncension. Në rast se nuk merret me koncension atë do e bëjë buxheti i shtetit. Bashkia e Tiranës do të bëjë deri aty ku ka kufirin territorial, se pastaj është Komuna e Farkës".
...