Berisha: Qeveria përpjekje për zgjedhje të lira dhe transparente
“Duhet mbështetja e qeverive të vendeve pjesëmarrëse për dërgimin e një numri sa më të lartë vëzhguesish për zgjedhjet lokale të 8 majit, në mënyrë që këto zgjedhje të jenë të vëzhguara dhe sa më transparente”. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha në punimet e samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian e cila u zhvillua në Kështjellën Bouchout, në Meise, Bruksel.
Në këtë samit, kryeministri Berisha i njohu të pranishmit me zhvillimet dhe situatën në Shqipëri, si dhe garantoi kryetarët e shteteve në këtë samit, për përkushtimin e qeverisë shqiptare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh për mediat se po bëhen përpjekje serioze për të patur edhe një delegacion të Parlamentit Evropian në këto zgjedhje, ndonëse nuk është ky institucion që vëzhgon zgjedhjet lokale.
Gjithashtu, kryeministri drejtoi një falënderim me mirënjohje për te gjithë Presidencën e EPP-se, që mbështetën vendosmërisht Shqipërinë dhe vazhdojnë ta mbështesin atë.