Berisha: Qeveria shqiptare, e vendosur të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin e shtetit të ri të Kosovës
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, Kryetar i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, Sllobodan Petroviç. Duke e cilësuar historike vizitën në Shqipëri të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë, kryeministri Berisha i’u shprehu vendosmërinë e tij për të dhënë të gjithë kontributin e mundshëm në interesin më të mirë të bashkëjetesës së qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga origjina e tyre etnike. Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria shqiptare do të kontribuojë me një fond modest prej 400 mijë euro për Komunën e Graçanicës.I pyetur për perspektivën e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, kryeministri Berisha u shpreh se takimet e tij me Presidentin e Serbisë z. Boris Tadiç janë shumë të shpeshta gjatë aktiviteteve ndërkombëtare dhe ajo ç’ka vlerësohet shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Më tej, kryeministri Berisha u shpreh se “Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t’ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme”. “Presidenti Tadiç e ka mirëpritur shumë ftesën për të vizituar Shqipërinë”, u shpreh kryeministri Berisha.Nga ana e tij, z. Petroviç vlerësoi vizitën e fundit të Kryeministrit Berisha, si dhe vizitën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme z. Ilir Meta, në Kosovë, të cilët në këto vizita kanë krijuar edhe një lloj besimi brenda komunitetit serb. “Pikërisht në atë kohë ka ardhur edhe ideja, nga kryeministri Berisha dhe zv/kryeministri Meta, që qeveria e Republikës së Shqipërisë të jetë një nga vendet që do të ndihmojë komunat e reja të krijuara në Kosovë. Ne e vlerësojmë këtë gjest më shumë sesa simbolik, vetëm me faktin duke e ditur se edhe në vendin tuaj situata ekonomike nuk është më e mira dhe në një situatë të tillë ju jeni të gatshëm t’i vini në ndihmë edhe atyre që kanë nevojë. Ndaj, dhe ky gjest i juaj është shumë i rëndësishëm. Unë jam i sigurt se në këtë drejtim ne dërgojmë një mesazh të qartë, i cili do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të Shqipërisë dhe në rajon. Dëshiroj të besoj se shtetet në rajon do të marrin shembullin e qeverisë së Shqipërisë dhe jam i sigurt se edhe miqtë tanë nga Brukseli dhe nga Uashingtoni do ta vlerësojnë shumë pozitivisht këtë projekt të përbashkët tonin”, u shpreh Petroviç.Topalli-Petroviç: Shqipëria dhe Kosova në rrugën e duhur drejt liberalizimit të vizave me BE/Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti dje në një takim të veçantë përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dhe Kryetar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç. Gjatë takimit duke vlerësuar rëndësinë e kësaj vizite dhe rolin e komunitetit serb në Kosovë, Kryetarja e Kuvendit tha se “pjesëmarrja e këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale është një shenjë e maturisë dhe e vullnetit pozitiv që vendet dhe popujt e Ballkanit kanë për paqen e qëndrueshme por edhe për përshpejtimin e proceseve integruese”. Ajo shprehu kënaqësinë për hapat e bëra në konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës si dhe për rritjen e bashkëpunimit mes komuniteteve të përkatësive të ndryshme etnike, pasi kjo tha ajo, është edhe baza mbi të cilën është ngritur dhe funksionon edhe vetë Bashkimi Evropian. Petroviç, si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjen nga Kryetari dhe deputetët e Kuvendit si dhe ftesën për një vizitë në Kosovë, ku, siç u shpreh ai, “do të gjeni miq të rinj”. Më tej, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Petroviç vlerësuan se bashkëpunimi mes dy Kuvendeve ka ardhur në rritje, ndërsa shprehën bindjen dhe vullnetin për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve edhe mes komisioneve parlamentare apo grupeve të deputetëve. ...