E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, çifti presidencial në Qendrën Rezidenciale

Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Teuta Topi vizituan dje Qendrën Rezidenciale të Zhvillimit në Durrës, ku jetojnë e arsimohen fëmijë me aftësi të kufizuara. Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u pritën nga kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Vangjush Dako, nga prefekti i Durrësit, Genc Alizoti, si dhe nga deputeti Gazmend Oketa. Kryetari i shtetit shpërndau dhurata për këta fëmijë, duke u shprehur atyre urimet më të ngrohta, të sinqerta e prindërore me rastin e festave të fundvitit. Presidenti Topi përshëndeti fëmijët dhe i bëri apel shoqërisë shqiptare për më tepër vëmendje ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara. “Ndiej një lloj sadisfaksioni, sepse shikoj një solidaritet të plotë, human dhe institucional. Me sa duket, kjo ka të bëjë edhe me një traditë të vjetër të qytetit të Durrësit, një qytet i lashtë, i cili të jep në mënyrë të qartë dhe shumë elokuente preferencën e vet të drejtpërdrejtë për mënyrën e komunikimit edhe me këtë kategori të veçantë të fëmijëve, të cilët kanë probleme të karakterit ‘motor’. E them këtë, sepse shikoj këtu deputetin, shikoj kryetarin e bashkisë, shikoj prefektin, shikoj njerëz të komunitetit, të cilët janë shumë solidarë me këtë kategori fëmijësh. Shikoj edhe këto kushte të mrekullueshme që janë krijuar dhe natyrisht kur krijohet ky lloj kombinacioni, edhe profesionistët e kanë më të lehtë për të përdorur talentin e tyre për të rehabilituar në një kohë sa më të shkurtër fëmijët për t’i kthyer ata në gjirin e familjes biologjike”, - tha gjatë fjalës së tij Topi. “Të gjithë së bashku duhet të japim impulse që fëmijët kudo që të jetojnë, të kenë kushte normale për të përballuar, sepse kjo situatë sigurisht që rëndon tek familjarët. Ata kanë një ngarkesë shpirtërore, por kanë edhe probleme që kanë të bëjnë me rehabilitimin e këtyre fëmijëve. Kështu që jam i bindur që shteti, qeverisja qendrore do të bëjnë të pamundurën që kudo, në të gjithë Shqipërinë, kudo ku të ketë fëmijë me të tilla probleme, të japin mundësitë që të rehabilitohen sa më shpejt dhe në kushte normale”, - përfundoi Presidenti Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›