E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI, Muhedini: Dule, një racist dhe një antiçam i tërbuar

PDI-ja përmes kryetarit Tahir Muhedini akuzoi fort kryetarin e PBDNJ-së për pretendimet e frymëzuara nga qarqe antishqiptare, duke e quajtur atë një racist dhe antiçam të tërbuar. Sipas Muhedinit, komuniteti çam i organizuar në Partinë për Drejtësi dhe Integrim, por edhe i gjithë opinioni shqiptar ka ndjekur me indinjatë prononcimet e Vangjel Dules, kryetarit të PBDNJ-së, në kongresin e jashtëzakonshëm. Ai vuri në dukje se fyerjet dhe perifrazimet antishqiptare si të ishte një pasardhës i andartëve të Zervës, janë pjesë e skenarëve që frymëzohen nga qarqe shoviniste që nuk dëshirojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por kërkojnë rizgjimin e fantazive nacionaliste filogreke në dëm të interesave të fqinjësisë. PDI e etiketoi Dulen si një politikan informal që gjithnjë e ka menduar veten si pjesë e mazhorancave qeverisëse. “Humbja e tij dhe e koalicionit të majtë duket se e ka tronditur shumë Dulen dhe pasuesit e tij përfitues në kurriz të interesave kombëtare shqiptare”. Më pas, Muhedini vlerësoi se PDI u qëndron gjithnjë besnike interesave të çështjes kombëtare dhe asaj çame në veçanti. “Këto çështje në tërësinë e tyre shërbejnë në integrimin e shqiptarëve në Evropën e zhvilluar, pa paragjykimet heretike të një pinjolli që e sheh veten si pasues i interesave të fanaristëve të Athinës”. Deklaratat e Dules PDI i konsideron si provokacioni i radhës për të hedhur baltë mbi mbarë komunitetin çam në Shqipëri. “Me këto veprime të njëpasnjëshme të kryetarit të PBDNJ-së na imponon ne, përfaqësuesve të popullatës çame, ta demaskojmë botërisht dhe ta cilësojmë këtë renegat që frymëzohet nga skutat më të errëta greko-shqiptare, si një racist i vonuar dhe një antiçam i tërbuar e kronik dhe fyes i të drejtave të njeriut”. Sipas Muhedinit, është gjithashtu në nderin e minoritetit çam që të distancohet njëherë e përgjithmonë nga këto pozicionime raciste. PDI është partia e dytë e komunitetit çam që reagon pas deklaratave të Dules. Më parë, një reagim i ashpër erdhi dhe nga kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, (PDU) z. Shpëtim Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›