Qeveria, Pollo: Masa e korrupsionit po reduktohet
Nëpërmjet kontrollit shikohen rregullat, rishikohen procedurat, ndryshohen legjislacionet, në mënyrë që çdo hapësirë abuzimi me detyrën apo për të kryer korrupsion të ngushtohet, mundësisht të shkohet drejt zeros. Sipas ministrit të Shtetit Genc Pollo, ky është qëllimi i punës së grupit ndërministror për zbatimin e strategjisë së antikorrupsionit, i cili u mblodh dje për të analizuar përpjekjet e mëdha që janë bërë këta 4 vjet. Z. Pollo vuri në dukje se masat e marra kanë bërë që korrupsioni të luftohet dhe të reduktohet. Gjatë takimit të djeshëm, Genc Pollo, ministër i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhënien me Parlamentin, u shpreh ndër të tjera se vetëm nëpërmjet një qasjeje tërësore dhe të integruar, duke vendosur rregulla të qarta dhe procedura efikase, qeveria shqiptare do të mund të luftojë me sukses korrupsionin. Pollo theksoi gjithashtu: “Korrupsioni nuk luftohet me fjalë, por me vepra konkrete dhe masat konkrete duhet të jenë të organizuara. Detyra e këtij grupi është të zbatojë një strategji shtetërore për antikorrupsionin, të miratuar para një viti. Çdo ministri, çdo agjenci qendrore ka një plan veprimi dhe është përgjegjëse për ta zbatuar këtë strategji. Kjo është pasqyruar, jo vetëm në gjetjet tona, por edhe në dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare, citoj këtu, Progres-Raportin e KE-së, shpalljet e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Amerikë, gjetjet e vazhdueshme të organizatave jo qeveritare, më e rëndësishmja është Transparency International, por edhe të tjerë, që shikojnë një progres të qartë në luftën kundër korrupsionit, në vendin tonë”, - deklaroi ai. Ministri Pollo vijoi se më dorëzimin e Pyetësorit të KE-se para disa ditësh qeverisë shqiptare, grupit ndërministror të punës i del përpara një sfidë e re në lidhje me zbatimin e strategjisë antikorrupsion. Pasi një vend të veçantë (jo për nga numri i pyetjeve, por për nga rëndësia e tyre) në Pyetësorin e Komisionit Evropian zënë edhe çështjet e antikorrupsionit dhe dhënia e përgjigjeve në këtë fushë është detyrë e këtij grupi qeveritar. Kthimi i përgjigjeve të sakta dhe të qarta, duke sqaruar strukturat institucionale, kuadrin ligjor, masat e ndërmarra dhe arritjet në fushën e antikorrupsionit është prioriteti numër një i këtij grupi me qëllim final integrimin e Shqipërisë në BE. “Shqipëria në 4 vitet e fundit, - përfundoi ministri, - ka pasur arritje të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe këto suksese janë konfirmuar edhe nga Progres-Raporti i KE-së, nga Millenium Challenge Corporation, Transparency International dhe organizma të tjerë. Megjithatë, korrupsioni mbetet një problem shqetësues për shoqërinë shqiptare dhe si i tillë duhet luftuar me vendosmëri dhe pa ndërprerje”.