Berisha: Rama do ketë fatin e Ramizit, si te Medreseja
Pirro Nase
Kryetari i PS-së, Edi Rama, do të ketë të njëjtin fat me atë të Ramiz Alisë në vitin 1992 në zonën e Medresesë në kryeqytet. Kështu është shprehur Kryeministri nga njësia nr. 8, e cila është një zonë bastion e Partisë Demokratike dhe për herë të fundit ka nxjerrë deputet ish-ministrin e Jashtëm, Besnik Mustafaj. “Që në ditët e para të kalimit të Partisë Demokratike, ju qëndruat në krye të përpjekjeve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, në mbrojtje të vlerave të saj. Këtu në këtë lagje diktatura mori goditjen fatale. Edi Rama, në planin e përgjithshëm urbanistik, mendon se mund të hakmerret për Ramiz Alinë kundër jush. Harroje z. Rama, fatin e Ramizit do të kesh edhe ti. Të paktën Ramizi hyri në garë dhe pati Vaterlonë këtu, kurse atij s’ia mban as në garë të futet. Më 28 qershor ai firmos fundin e karrierës së tij politike”, u shpreh Kryeministri Berisha. Mesditën e djeshme kreu i qeverisë ishte në qarkun e Korçës, ku përuroi rrugën Korçë- Qafë Plloç. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj rruge, kreu i Partisë Demokratike iu përgjigj edhe akuzave të Ramës dy ditë më parë, i cili vuri theksin tek investimet e pakta në arsim teksa tregonte një shkollë të rrënuar. “Unë pashë dje kryetarin e ngratë, i them i ngratë, pasi kishte dalë nga vila e tij në Dardhë, se ka një vilë këtu në Dardhë që nuk e ka të deklaruar, pasi e fsheh në emrat e bashkëshorteve rastësore, shkon e gjen një shkollë të rrënuar dhe derdh lot krokodili. I them zotit Rama të lërë mënjanë mendjen e Blushit dhe të pranojë këtë realitet që po ndryshon me shpejtësi të madhe”, iu përgjigj kreu i qeverisë rivalit të tij politik. Nga Tepelena dhe Gjirokastra, ku u ndal dje në mbrëmje, Berisha premtoi se boshti i jugut do të jetë projekti parësor i qeverisë pas 28 qershorit, sikundër premtoi edhe përfundimin e Levan-Tepelenë dhe Këlcyrë-Berat. Pas thirrjeve të vazhdueshme për elektoratin e PS-së, lideri i PD-së i kërkoi dje votat edhe minoritetit, i cili në zgjedhjet e kaluara ka votuar në masë për PBDNJ-në. “I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të minoritetit të votojnë PD. U garantojë se investimet në katër vitet që vijnë do të jenë së paku 15 herë më të mëdha se ato të katër viteve që shkuan”, tha më tej Berisha. Në fund ai u bëri thirrje edhe emigrantëve që të vijnë në Shqipëri dhe më 28 qershor të votojnë për PD-në.