E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpenzimet elektorale po rrezikojnë buxhetin

 

Shpenzimet e larta elektorale po vënë në rrezik treguesit fiskal të buxhetit. Këtë herë paralajmërimi është dhënë nga ekspertët e kontraktuar nga fondacioni Soros, për të mbikëqyrur buxhetin e shtetit. Sipas tyre, rritja e fortë e shpenzimeve të qeverisë, të nxitura nga fushata elektorale, kërcënon ekonominë duke rrezikuar të sjellë pasoja të rënda edhe për qytetarët. Qëllimi i projektit “Monitorimi i buxhetit të shtetit”, tashmë një traditë e rëndësishme e fondacionit “Soros”, është bërja e transparencës për një nga proceset më të mëdha e më të rëndësishëm politik, administrativ e financiar të shtetit si dhe të thellojë dialogun ndërmjet palëve të interesuara, sidomos në drejtim të pjesëmarrjes aktive të tyre në procesin e hartimit, zbatimit dhe të monitorimit të buxhetit, në mënyrë të veçantë për sektorët prioritarë. Ekspertët prezantuan realizimin e treguesve kryesorë buxhetorë dhe programin e shpenzimeve publike sipas ministrive dhe sektorëve prioritarë për këtë periudhë. Pjesë e këtij raporti ishte edhe analiza e realizimit të treguesve fiskalë dhe buxhetorë për periudhën janar-prill. Në raport ekspertët shprehen se viti 2009, në kushtet e thellimit të mëtejshëm të krizës ndërkombëtare, e vë përballë sfidave të reja ekonominë shqiptare. Por sipas tyre, rritja ekonomike vjetore pritet të jetë pozitive. Ndërsa referuar shpenzimeve kapitale sipas tyre, në 4-mujorin e parë, janë realizuar 136 % ose 8.400 milionë lekë më shumë se plani. Rritja e shpenzimeve kapitale rriti deficitin buxhetor. Ne këtë pikë ekspertët kanë rekomanduar modifikimin e buxhetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›