E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shantazhet për votat do dënohen

 

Vlorë/Qemal Biraku

Ashpërsohen akuzat politike ndaj tentativave për manipulimin e votës. Kreu socialist, Edi Rama, gjatë një mitingu masiv në sheshin e Flamurit në qytetin e Vlorës, paralajmëroi se do të përgjigjen para drejtësisë të gjithë ata drejtues institucionesh që i bëjnë presion administratës së tyre për marrjen e votës.
“Mes nesh dhe të ardhmes qëndron kryeplaku i politikës së vjetër, Sali Berisha, që është lëshuar mbi mësuesit, mjekët, nëpunësit, për t’u marrë votën. Nga ky shesh unë i bëj thirrje Sali Berishës të bëjë të vetmen gjë që i ka mbetur, të humbasë me dinjitet duke hequr dorë nga presionet për të marrë votën me pahir. Ne i paralajmërojmë të gjithë ata drejtues dhe shefa që ushtrojnë presion se nuk e shmangin dot humbjen duke blerë votat, nuk e mbajnë dot pushtetin duke vjedhur votën, prandaj le ta lënë në fatin e tij kryeplakun e së vjetrës. Nuk do të kenë vrimë ku të futen ata që do të kërcënojnë për marrjen e votës. Çdo shantazh do të bëhet pjesë e akuzës për të ndëshkuar këtë shpurë qeveritarësh që duan të vjedhin votat”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Duke shprehur sigurinë e tij për fitoren e socialistëve në zgjedhjet e 28 qershorit, Rama tha se “ne do të fitojmë që të mos ketë më nxënës e mësues që trajtohen si kope për të fituar pushtetin, që të mos ketë kurrë më njerëz të zotë e të ndershëm që të hiqen nga puna se nuk janë me partinë në pushtet, që Shqipëria të mos ketë kryeministër që të ndajë pushtetin me klientët e familjes së Sali Berishës. Ka vetëm një forcë të madhe që mund ta bëjë këtë realitet, ka vetëm një parti që mban barrën e Shqipërisë evropiane, që quhet Partia Socialiste”. Kreu socialist premtoi angazhim për arritjen e liberalizimit të vizave brenda vitit 2010. “Sali Berisha premtoi sërish, në një kohë kur shqiptarët janë të izoluar. Jo për faj të shqiptarëve, por për faj të kësaj qeverie të dështuar që di t’i shërbejë vetëm familjes së të parit qeveritar, që di të bëjë biznes vetëm për familjen kryeministrore. Unë nuk premtoj, angazhohem se për familjarët nuk do të ketë më ndarje. Edhe 9 ditë mbeten dhe do të kemi fuqinë për t’u zhvilluar, do të kemi një shtet që mbron pasuritë tona të përbashkëta. Vlora e ka sfiduar gjithmonë historinë dhe këtej do ta sfidojnë historinë e vjetër, të shkruajmë një faqe të re për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë”, tha Rama.

PS: Po shpërdorohet buxheti
Partia Socialiste denoncoi dje shpërdorimin që Kryeministri Berisha po i bën buxhetit të shtetit për fushatën elektorale. Anëtarja e kryesisë rozë, Lindita Nikolla, tha se Berisha shpërdoroi 10 milionë euro për karburantin e ministrave me të cilat mund të ishin rritur pensionet e 70 mijë invalidëve. “Berisha dështoi, duke mos investuar në ato projekte të cilat do të siguronin një ndryshim të prekshëm në jetën e shqiptarëve. Me paratë e çuara dëm për karburant, mund të ishte investuar në arsim dhe shëndetësi, mund të ishin rritur rrogat dhe pensionet për mbi 70,000 individë”, theksoi Nikolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›