Meta: LSI, alternativa për të larguar Berishën
Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi një miting masiv në sheshin kryesor të qytetit të Beratit, ku morën pjesë me mijëra banorë. Duke marrë fjalën në këtë miting, Ilir Meta tha se LSI është alternativa e sigurt që garanton largimin e Sali Berishës nga pushteti. “Më 28 qershor, Berati voton LSI dhe Ilir Metën si alternativë më e sigurt për t’u ballafaquar dhe larguar Sali Berishën më 28 qershor, por edhe si e vetmja alternativë në të majtë që ka një projekt të qartë integrues për gjithë socialistët dhe progresistët për të ndërtuar një qeveri të qëndrueshme me një program të qartë ekonomik dhe social, që sjell standardet evropiane në Berat dhe në Shqipëri”, tha Meta gjatë fjalës së tij. Duke prezantuar programin e LSI-së ‘Plani për Veprim’, Meta tha se ky program do t’i japë përgjigje reale problemeve të mëdha që ka vendi. “Berati kërkon punë, dhe programin e vetëm për punësimin e Beratit dhe Shqipërisë e ka LSI. Berati dhe e gjithë Shqipëria kërkojnë një plan për uljen e kostos së jetesës dhe këtë plan sot e ka vetëm LSI. Berati dhe Shqipëria kërkojnë mundësi për të shprehur aftësi dhe talente të qytetarëve, të cilët ndihen të përjashtuar nga një qeverisje klanore, nga një qeverisje e papërgje-gjshme, nga një qeverisje e dhunshme, pra nga qeveria e Gërdecit, nga qeveria e cila është e vetmja në botë që nuk pranon krizën ekonomike. Ne kemi një program për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike”, tha Meta. Kryetari i LSI-së hodhi akuza ndaj Kryeministrit Berisha, duke e cilësuar të dështuar dhe të paaftë të nxjerrë vendin nga kriza. “Sali Berisha ka një muaj që refuzon të dalë në debat televiziv me Ilir Metën, ashtu sikurse çdo Kryeministër demokrat në çdo vend të botës do të bënte, sepse Sali Berisha është i paaftë, sepse Sali Berisha është gënjeshtar, sepse Sali Berisha është e shkuara e Shqipërisë, sepse Sali Berisha është një kryeministër mjek që shkatërroi mjekësinë e si askush tjetër më parë. Prandaj më 28 qershor ne do i themi jo një herë e përgjithmonë alternativës së mashtrimit, do i themi jo alternativës së varfërisë”, tha Meta. Kryetari i LSI-së kërkoi votën e beratasve edhe sepse kjo parti kandidon me djemtë dhe vajzat e këtij qyteti dhe jo kandidatë të importuar. “Të gjithë kandidatët tanë ndryshe nga ata të partive të tjera, janë përfaqësues të komunitetit të Beratit, të Kuçovës dhe të Skraparit. Ne nuk sjellim kandidatë të importuar, sepse Berati ka nxjerrë e do të nxjerrë figura përfaqësuese”, tha Meta. a.l.
Investimet
Kreu i LSI-së akuzoi Kryeministrin Berisha si mashtrues, i cili bën vetëm premtime dhe nuk realizon asgjë. “Sali Berisha, si një mashtrues i rëndomtë që është, premton se do të ndërtojë boshtin e Jugut. Berati që është këtu e di shumë mirë që LSI dhe Ilir Meta do të ndërtojnë boshtin e Jugut, do lidhim Kuçovën dhe Beratin me Elbasanin, do ta kthejmë Beratin në një qendër shumë të fuqishme që lidh Shqipërinë e Jugut me Shqipërinë e Mesme”, tha Meta.