E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Tiranë-Elbasan, Basha merr financim nga emiratet

 

Fabiola Çela

Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan pritet të financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Gjatë këtij takimi, Basha i ka ftuar investitorët arabë të investojnë në Shqipëri. Po dje, gjatë një takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kreut të qeverisë Berisha, u ra dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje mbi taksimin e dyfishtë, nisjen e marrëveshjeve ekonomike dhe tregtare, etj.
Financimi
Ministri i Jashtëm emiratas shprehu mbështetjen e tij të plotë për të financuar rrugën Tiranë-Elbasan, nëpërmjet një kredie të butë nga pala emiratase. Gjatë konferencës për shtyp, ai u shpreh se: “Realizimi i këtij projekti ka domethënie të madhe. Sapo të marrim vlerësimin teknik të saj, procedurat përkatëse do të kalojnë në instancat e duhura shumë shpejt dhe besoj që deri në takimin e Komisionit të Përbashkët në Shtator do të marrim një vendim lidhur me financimin e saj. Këtë e them me bindje edhe si anëtar i bordit të Bankës Abu Dabi për Zhvillim”, tha Ministri i Jashtëm emiratas.  Ndërtimi i kësaj rrugë është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Emiratet e Bashkuara, u shpreh me tej ai,  duke ju referuar lehtësive që realizimi i këtij projekti do të krijojë për të nxitur investimet e Emirateve të Bashkuara, në veçanti ato të lidhura me Zonën Ekonomike të Elbasanit. Gjatë takimit të djeshëm, Ministri Basha, i dorëzoi homologut të tij edhe dosjen që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur për Zonën Ekonomike të Elbasanit, ish-Metalurgjiku. Homologu emiratas u shpreh se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë interes të veçantë edhe për  fushat energjetike, bujqësore, portuale, turizmit, petrokimike etj. Gjatë takimit të djeshëm, Basha nuk la pa theksuar edhe potencialin e Zonës Ekonomike të Elbasanit për punësimin, prodhimin, dhe krijimin e një tregu të veçantë në rajon e më gjerë. Gjithashtu Basha e informoi kolegun e tij mbi lehtësirat që Shqipëria paraqet për investitorët e huaj, kuadrin jashtëzakonisht të lehtësuar fiskal, paketën Shqipëria “1 Euro”, të cilat janë të vlefshme si për bujqësinë, ashtu edhe për industrinë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›