Si rrëmbeu Aldo Bare Karavastanë
Armand Bajrami
Kapo i organizatës kriminale të njohur si “Banda e Lushnjës” ka blerë vetëm për 60 mijë lekë Lagunën e Karavastasë, duke ua “rrëmbyer” ish-pronarëve të saj. Asnjeri prej tyre nuk ka kundërshtuar kur u është “dhënë urdhër” ti dorëzonin materialet e Lagunës te “kompania” e Aldo Bares. Dje në Gjykatën për Krimet e Rënda, gjatë dëshmisë së një prej ish-pronarëve të Lagunës, u tregua se kishin nënshkruar në vitin 1998 një kontratë për ruajtjen e objektit por në fakt ai dokument kishte qenë kontrata e shitjes. Sipas dëshmitarit Llambi Ndini, pasi kishte mbaruar procedurat e privatizimit nga shteti pas viteve 1990 Ndërmarrja e Peshkimit në Lagunën e Karavastasë, ish-punonjësit e saj ishin bërë aksionerë. Kjo pronë aktualisht vlerësohet mbi 10 milionë euro. Të gjithë punonjësit, rreth 90 vetë, kishin përqindje të barabartë në pronësinë e bazës materiale të ndërmarrjes, varka dhe rrjeta si edhe të Lagunës, të gjithë këto të blera prej tyre në këmbim të lekëve. Vite më vonë, drejtuesi i Lagunës, u ka thënë të firmosin për një kompani që do t’u siguronte mbrojtje fizike për objektin. Më vonë gjithsecili nga ta do të merrte një shumë parash prej vetëm 60 mijë lekë. Në të vërtetë, pas nënshkrimit në praninë e një notereje, 90 bashkaksionerët e Lagunës e kishin shitur përfundimisht Lagunën. Pak ditë më vonë ata do të merrnin vesh që Laguna nuk ishte më pronë e tyre, por e “firmës” që drejtohej nga Aldo Bare. Që prej asaj dite, ata mund të punonin në lagunë, vetëm si punëmarrës. Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për vitin 1998, vit kur grupi i drejtuar nga Aldo Bare vendosi “pushtetin” e tij mbi veprimtarinë tregtare të Lagunës së Karavastasë.
DESHMIA
Ende me profesion peshkatar në lagunën e Karavastasë, Llambi Ndini tregoi dje në procesin gjyqësor, në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të “Bandës së Lushnjës” te Krimet e Rënda, se si kishte shitur pa kuptuar “pjesën e tij” të Lagunës. Deri në vitin 1990 dëshmitari Ndini kishte qenë roje në ndërmarrjen e peshkimit në Lagunë, ndërsa më vonë ai ishte bërë aksioner në pronësinë e saj. “Deri në vitin 1990 kam qenë roje në ndërmarrjen e Peshkimit në Lagunën e Karavastasë. Pasi hyri demokracia punonjësit ia blenë atë shtetit. Aty kishte materiale si varka, rrejta e të tjerë. Të gjitha materialet e ndërmarrjes iu blenë shtetit me lekë”, tha dëshmitari. Sipas dëshmitarit, pronësia ishte e ndarë në mënyrë të barabartë mes gjithë ish-punonjësve të ndërmarrjes, që në total arrinin në 90 vetë. I pyetur nga përfaqësuesi i akuzës, nëse është apo jo pronar aktualisht në Lagunë, dëshmitari u përgjigj negativisht. “Aktualisht ne nuk jemi pronarë”, tha Ndini. Sipas rrëfimit të dëshmitarit, gjithçka kishte ardhur pasi drejtori i tyre, Tahir Zela, i kishte lajmëruar për ardhjen e një firme që do t’i ruante. “Nuk e kujtoj dot vitin se kur ndodhi. Por drejtori jonë, Tahir Zela, na mblodhi në një mencë që kishim atje. Aty na tha që ‘meqë ne kemi shumë shqetësime këtu në Lagunë, do të vijë një firmë që do të na ruajë”, u shpreh dëshmitari. Sipas Ndinit, pak ditë më vonë, në praninë e një notereje, ata kishin firmosur në një listë ku ishin emrat e tyre. Rreth një muaj më vonë çdonjërit prej bashkëaksionerëve të lagunës u ishin dhënë në dorë nga 600 mijë lekë të vjetër. “Unë e kuptova që e kisha shitur Lagunën, atëherë kur mora lekët”, deklaroi dëshmitari. “Drejtori na tha që do të firmosnim të merrnim paratë se materialet do t’i merrte firma e Aldo Bares. Ne mund të qëndronim në Lagunë të punonim si punëtorë”, tha dëshmitari. Sipas tij, asnjë person nuk ishte kërcënuar për të firmosur, por njëkohësisht ai pohoi se jo të gjithë kishin qenë dakord të merrnin shumën e 60 mijë lekëve. “Pati edhe persona që nuk ishin dakord, por meqë ishte firma e Aldo Bares, askush nuk kundërshtoi”, tha dëshmitari.
Hajdari kryeson tek Bare
Një ditë pasi KLD caktoi 5 gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës që do të gjykojnë Aldo Baren tek Krimet e Rënda, shorti elektronik përzgjodhi kreun e trupës. Sipas shortit, kryesuesi i seancave në ngarkim të Bares, që gjykohet i veçuar tek Krimet e Rënda, do të jetë gjyqtarja Fatmira Hajdari.
Revokohet dëshmitari
I thirrur si dëshmitar, Sokrat Bojaxhiu nuk dëshmoi në seancën e djeshme. Gjykata nuk arriti të identifikojë atë, pasi Bojaxhiu nuk kishte dokument identifikimi me vete. Pas kërkesës së prokurorisë për heqje dorë prej tij, gjykata vendosi revokimin e thirrjes së Bojaxhiut si dëshmitar në proces.