Berisha: Rama ju mashtron për legalizimet, do ju kthejë nga erdhët
Tiranë- Kryeministri Sali Berisha ka inaguruar sot rikonstruktimin e Rrugës së Dibrës, ndërsa ka deklaruar se kreu i PS-së, Edi Rama, mashtron qytetarët me deklaratat e tij për legalizimit.
Shefi i qeverisë u shpreh se është e pa mundur që një qeveri të japë falas pronën e dikujt tjetër.
Vëllezër, Edi Rama është armik për jetë e vdekje i ndërtimeve tuaja. Mos u mashtroni prej tij. Sa ishte kryetar bashkia iu tregoi buldozierët dhe rruspat. Ju konsideroi çeçenë, shpellarë etj. Edi Rama deklaroi se do anulojë ligjin që njeh banesat tuaja. Të gjithëve do tu thotë shkoni nga keni ardhur. Asnjë qeveri në një vend të lirë, askurrkush nuk mund ti falë kujt pronën e tjetrit. Nuk ka gjykatë që të pranojë që një qeveri të falë pronën e privatit tek një privat tjetër. Ky është një mashtrim i paskrupullt, për tju marrë votën e pastaj për tju thënë, shkoni nga keni ardhur,- deklaroi Berisha.
Më tej ai ka thënë se do të jetë qeveria demokratike që do të përfundojë procesin e legalizimit në mandatin e ardhshëm. Ai ka ftuar qytetarët të votojnë numrin 44, duke shtuar se vepra të tjera të mëdha do ti japin Tiranës pamjen që meriton.
Rikonstruksioni i rrugës së Dibrës, në njësinë bashkiake nr.8 është një investim me vlerë 98 milionë lekë, gjatësi rreth 1,4 km dhe gjerësi nga 10.50 deri në 14 metra.
Trotuaret në të gjithë gjatësinë nuk janë më të ngushtë se 2 metra. Është ndërhyrë në ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, vendosjen e 112 copë ndriçuesve rrugorë, mbjelljen e 350 fidanëve të llojit bli, vende parkimi për automjete etj. Rehabilitimi ka prekur të gjithë shtresat nëntokësore, rehabilitimet e rrjetit të kanalizimeve të ujësjellësit.