E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Rama kerkon rrezimin e qeverise dhe bllokimin e statusit

Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike , kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se kërkon të rrëzojë qeverinë duke bllokuar reformat për t'i lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se Rama në vend të përgjigjes së letrës që Astrit Patozi i bëri Gramoz Ruçit, ai nisi editorialin që do rrëzojë këtë qeveri me çdo kusht.
"Në vend të përgjigjes me shkrim, Rama nisi editorialin e radhës në të cilin betohet solemnisht se do rrëzojë qeverinë me çdo kusht. Sipas tij, rrëzimi i qeverisë është problemi i vetëm dhe se zgjedhja e presidentit duhet të jetë në funksion të rrëzimit të qeverisë. Editoriali erdhi pas një interviste që botoi duke i vënë emrin e Rucit, sepse ai e përdor këtë. Kur do të vërë maskë politike përdor Gramoz Ruçin" -tha Berisha.
Më tej ai shtoi se Rama kërkon të bllokojë statusin, të cilin e bllokoi për dy vjet, ndërsa kërkon takim me mua për të bllokuar, jo për të zhbllokuar reformat, ndërkohë që reforma zgjedhore është drejt përfundimit ai i ka bllokuar në dy pika: në elektronikë dhe mosbesimin e komisionerëve, që bien ndesh me ODIHR.
"Elektronika. Që në nisje kemi deklaruar se do të pranojmë vetëm ato për të cilat ODIHR jep aprovim pozitiv.
Kërkesa e dytë e bazuar në mosbesimin total të 20 mijë komisionerëve. Kërkon që dy militantë të partisë së tij ose të partisë sime të kenë tagrin ligjor.Ka një vendim të gjykatës së Apelit për këtë çështje. Kundër vendimit të gjykatave nuk dalim kurrë. Zoti Rama thotë takohemi unë e ti dhe e zgjidhim, s'mund ta zgjidhim ne. Kemi njerëzit tanë që e njohin fushën dhe e zgjidhin ata. Rama të ftonte gjykatës për interpretim"- theksoi kryeministri.
Më tej Kreu i mazhorancës e akuzoi liderin socialist se kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe për kundërshtimin e heqjes së imunitetit, të cilin e konsideroi një problem të PS-së.
Ndërkohë kryeministri Berisha informoi grupin e ligjvënësve demokratë se procesi i përzgjedhjes dhe zgjedhjes së presidentit është procesi më serioz dhe më i rëndësishëm për qytetarët e këtij vendi.
"Ne jemi të bindur se procesi më dinjitoz, më serioz, më transparent është ai proces që respekton plotësisht ligjin themelor të shtetit, Kushtetutën. Qëndrimi ynë është dhe do të mbetet kryekëput kushtetues, asgjë nuk mund të na spostojë ne nga respekti i plotë e total i ligjit themelor të shtetit"- u shpreh kreu i mazhoranës.
Ndërkaq ai i kujtoi demokratëve marrëveshjen e shtatorit të 2009 me LSI-në përsa i takon zgjedhjes së presidentit. Sipas tij në këtë marrëveshje thuhet se presidenti do të zgjidhet mbi bazën e konsensusit PD-LSI, ndërkohë që është rënë dakord me aleatët gjatë takimeve që pavarësisht kësaj marrëveshje të respektohet me vendosmëri Kushtetuta, e cila parashikon zgjedhjen e Presidentit në 3 raundet e para votimin për Presidentin me tre të pestat.
"Dua t'ju rikujtoj se në marrëveshjen e datës 2 shtator 2009 në faqen 3 të kësaj marrëveshje thuhet: zgjedhja e presidentit të Republikiës do bëhet mbi bazën e konsensusit PD dhe LSI. Ky është përcaktimi kontraktual midis dy forcave kryesore të koalicionit qeverisës"-theksoi Berisha, ndërsa shtoi se në përputhje me mandatin që dha kryesia dhe në aftin e përcaktuar nga kushtetuta nisi menjëherë seria e konsultimeve dhe negociatave me aletatët.
"Takimi me LSI-në ishte një takim, i cili u karakterizua nga identiteti i plotë i mendimit dhe pikëpamjes si edhe vendosmëria për t'i qëndruar marrëveshjes. Vullnet i plotë bashkëpunimi në procesin e zgjedhjes dhe diskutim i gjerë u bë edhe me dy aleatët e tjerë të koalicionit qeveritar me Partinë Republikane dhe PDIU-në, të cilat janë dy aleate të çmuara të koalicionit dhe me to ndamë mendime të njëjta"-vijoi më te shefi i qeverisë.
Më tej ai shtoi se në rrethin e parë të konsultimeve e takimeve me aleatët spikati në mënyrën më të kristaltë vendosmëria e koalicioionti qeveritar për të nderuar plotësisht dhe respektuar kushtetutën e vendit, e cila parashikon në 3 raundet e para, votimin e Presidentit të Republikës me tre të pestat.
"Pra ndonëse ka në marrëveshje e cila autorizon ose përcakton zgjedhjen e presidentit si konsensus mes PD-LSI, këto forca politike ranë dakord që të punojnë që të zgjidhet me 3 të 5 siç e përcakton kushtetuta e vendit"-theksoi Berisha.
Gjithashtu ai shtoi se këto takime u konsiderua shumë e rëndësishme për vendin që të përzgjidhet në postin më të lartë të shtetit një person me kredenciale të larta brenda dhe jashtë vendit, ndërsa i bëri apel Ramës për t'i dhënë vendit një president të besueshëm, i cili di të ngrihet mbi palët, i cili di dhe ka të gjithë integritetin politik për t'iu përmbajtur frymës së kushtetutës si simbol i unitetit të kombit dhe me atdhetarizëm të padiskutuar.
"T'i japim vendit jo një president pazaresh, por përkundrazi të vlerësojë një personalitet të besuar me kredenciale të larta. Të punojmë së bashku me të gjitha forcat politike të gjejmë personin që do të nderojë burrë apo grua postin e lartë të shtetit"- nënvizoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›