E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama kundër zhvillimit të vendit

Për shkak të rëndësisë që i ka kushtuar ndërtimit të gjithë infrastrukturës rrugore në vend, kryeministri Berisha ka prerë shiritin e një tjetër investimi në rrugë. Projekti parashikon të lidhë rrethin e Matit me atë të Dibrës si dhe do të lehtësojë ndjeshëm lidhjen e komunave të zonës me tregun. Loti i parë i kësaj rruge ka një gjatësi prej 5 km kushton 47 milion lekë dhe sipas parashikimeve kontraktuale duhet të përfundojë në 60 ditë. Kryeministri Berisha garantoi banorët e zonës se ky, nuk është projekti i vetëm i qeverisë në infrastrukturën rrugore.
Berisha “Dua t’ju garantoj se, sapo të përfundojë projekti i rrugës Rrëshen-Klos, edhe kjo rrugë do të fillojë në të gjithë trajektoren e saj. Sikundër do të ndërtojmë e asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi, do të lidhim çdo komunë me rrugët kombëtare automobilistike, do të lidhim çdo fshat me rrugë të asfaltuara me qendrën e komunës.”
Këtu kryetari i qeverisë sulmoi rivalin e tij politik kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Berisha përmendi qendrimet e Ramës mbi projekte të rëndësishme të infrastrukturës rrugore siç është rruga Durrës-Morinë. Qendrime që kryeministri i cilësoi kundër zhvillimit.
Berisha “Fushata mbaroi, zgjedhjet përfunduan, shqiptarët votuan. Matjanët dhe shqiptarët votuan për projektin europian, votuan për projektin për Matin europian, për Shqipërinë europiane, por i dhanë edhe ndëshkimin merituar alternativës së bazuar në shpifje, trillime, mashtrime, armiqësi të hapur ndaj korridorit të kombit, armiqësi të hapur ndaj zhvillimit të vendit. Një ditë dilte kundër rrugës, kundër korridorit të kombit, nesër ju garantoj se do të sulmojë rrugën e Arbrit, të cilën do ta ndërtojmë me shpejtësinë më të madhe.”
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Berisha i ktheu përgjigje akuzave të kryetarit të PS Rama, referuar disa vendimeve të marra në mbledhjen më të fundit të KRTRSH.
Berisha “Dje u ngritën kundër investimeve në turizëm, kundër investimeve në energji. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë Shqipërinë turistike. Ne do të vazhdojmë ta shndërrojmë Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale. Ne do të vazhdojmë të garantojmë furnizimin me ujë 24 orë të të gjitha familjeve shqiptare. Ne do të vazhdojmë revolucionin industrial, si kusht vendimtar që Shqipëria të bëhet një vend ndër më të zhvilluarit në rajon dhe më gjerë. Ndaj edhe në këto zgjedhje nuk ka të humbur. Të humbur janë vetëm ata, të cilët nuk kanë asnjë interes kombëtar, nuk kanë asnjë interes social, nuk kanë asnjë interes familjar, përveç interesave vetjake dhe klaneve mafioze, me të cilat janë të lidhur. Me ata do merret ligji. Ne së bashku do të vazhdojmë projektet për një Shqipëri që katër vitet e ardhshme do të jetë një Shqipëri krejt tjetër, një Shqipëri europiane.”
Në përfundim të fjalimit të tij, kryeministri Berisha theksoi se qeveria që drejton, do të financojë çdo projekt që garanton zhvillimin e kësaj zone.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›