E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama më kërkon qeveri me bazë të gjerë



Kryesocialisti Edi Rama nuk resht përpjekjet edhe tani që proteston në shesh për të bërë koalicion me PD-në. Këtë fakt zbardhi mbrëmë në “Opinion” Kryeministri Sali Berisha, i cili nuk nguroi të pohojë se Rama i kërkon përmes mesazherëve krijimin e një qeverie me bazë të gjerë. Madje, duke thënë se Rama do të mjaftonte edhe me dy ministri.

“Z. Rama më ka çuar mesazherë për të bërë koalicion me ne. Edhe tani bën përpjekje serioze. Kërkon qeveri me bazë të gjerë. Ai do të ishte i gatshëm sikur t’i jepja edhe dy ministri. Rama kërkon pushtet. Por ama me votë të lirë”, - deklaroi z. Berisha. Gjatë bisedës në studio, Kryeministri analizoi situatën e acaruar politike dhe rrugët e zgjidhjes, atë të dialogut në Kuvend, ndërsa la të kuptohet në mënyrë të artë se Edi Rama po të dojë edhe 3 vjet le të protestojë poshtë zyrës së tij, por duhet ta dijë njëherë e mirë se kutitë nuk hapen. Sipas Berishës, nuk ka asnjë mënyrë për t’i hapur kutitë e votimit dhe se asnjë institucion ndërkombëtar nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Duke folur për qëllime të ngushta klanore, Berisha theksoi se në rast se protestat bëhen të dhunshme, i vetmi përgjegjës do të jetë Edi Rama. “Ai nuk është vullnet i popullit. Ai nuk pranon votën e lirë. Le të protestojë sa të dojë. Nëse protestat bëhen të dhunshme, ka vetëm një përgjegjës, ai është Rama. Nuk ka asnjë mënyrë për t’i hapur kutitë. Kam bërë plot kompromise në jetën time politike, por këtë radhë nuk bëhet fjalë për hapje të kutive. Sepse nuk shkel ligjin. Rama po e përdor protestën si alibi për të mbajtur deputetë jashtë Parlamentit në interes të klanit mafioz”, - deklaroi z. Berisha.

Ne, - shtoi më tej Berisha, - duam të dialogojmë në Parlament dhe ndërkombëtarët, edhe ata që i përkasin së majtës evropiane, kanë thënë qartë se ftesa e Kryeministrit ndaj Ramës është e sinqertë. Berisha bëri të ditur për shqiptarët se ka zero presion nga të huaj për të hapur kutitë. “Deri më sot nuk ekziston asnjë institucion ndërkombëtar që nuk mbështet hapjen e kutive. Nëse një grup mafiozësh duan ta përdorin hapjen e kutive si të keqen e këtij vendi, nuk ka për të ndodhur. Opozita nuk ka asnjë motiv, përveçse një grupi mafioz që kërkon të ndëshkojë një vend. Nuk më rrëzojnë dot me protesta, po të duan le ta provojnë”, - u shpreh z. Berisha. Kreu i qeverisë konfirmoi faktin se bojkoti i opozitës nuk pengon vijimësinë e reformave, madje këtë e ilustroi me faktin se në vendet demokratike, një Parlament funksion edhe 4 vjet pa opozitë, por sërish përsëriti ftesën që PS-ja të kthehet në Kuvend.

“Këta muaj kanë qenë më të rëndësishmet e reformave. Komisionet parlamentare nuk kanë ndërprerë punën. Parlamenti ka votuar çdo javë. Parlamenti me 74 deputetë në gjithë botën mund të funksionojë edhe për 4 vjet. Kushtetuta e çdo vendi demokratik përcakton mazhorancë 50 plus 1. Me këtë nuk them që opozita nuk është e rëndësishme, por sot kemi të bëjmë me një kupolë puniste”, - theksoi Kryeministri i vendit. Më tej, ai akuzoi Edi Ramën se i ati i tij ka firmosur varjen e poetit Havzi Nela bashkë me Ramiz Alinë. “I ati i Ramës ka firmosur me Ramiz Alinë për varjen e Havzi Nelës. Askush nuk pushkatohej pa firmës e presidiumit të KQ”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri sërish mbrëmë akuzoi Ramën për afera korruptive dhe shthurje të familjes, duke thurur kodin e familjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›