PD: Mafia e Ramës pagoi 40 milionë euro për blerjen e votave
PD-ja informoi dje shqiptarët se mafia e kryesocialistit Edi Rama për zgjedhjet e 28 qershorit pagoi 40 milionë euro për të blerë votat e shqiptarëve. Akuza u bë dje publike në Kuvendin e PD-së së Tropojës nga sekretari organizativ demokrat, Flamur Noka. Por, sipas zyrtarit të PD-së, pavarësisht derdhjes së parave të pista, të aferave korruptive, Rama nuk mundi të blinte shqiptarë dhe në këtë mënyrë vulosi dhe humbjen e tij të 28 qershorit. “Vetëm Edi Rama, ky njeri i çmendur, është kapur peng. Jeni dëshmitarë që në qarkun e Kukësit: në Tropojë, Kukës, Has, nga mafia e tij u pagua mbi 1 milion euro për të ndryshuar votat e qytetarëve në qarkun tonë. Në rang vendi ky njeri ka paguar 40 milionë euro për të blerë votat e shqiptarëve dhe fitoren e vetes së tij”, - deklaroi z. Noka. Më tej, deputeti i qarkut të Kukësit dhe sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka, denoncoi kryesocialistin Edi Rama për çrregullime mendore, ndërsa e cilësoi si përdhosës të kodit të familjes, për shkak të imoralitetit dhe dhunës ndaj saj. “Ky njeri që kërkon të kthejë historinë e demokracisë prapa, ky njeri që kërkon të thyejë rendin kushtetues, ky njeri që kërkon të rrëzojë pushtetin me dhunë, ky njeri ka probleme të rënda çekuilibri mendor. Ky njeri ka përdhosur kodin e familjes, ky njeri ka bërë atë që s’ka bërë asnjë shqiptar, ka nxjerrë me rroba shtëpie nënën e tij në rrugë dhe e ka lënë gjithë natën jashtë”, - u shpreh deputeti Noka.
Bumçi: Rama si Shvejku, ç’më duhet mua me xhepin tim
Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama se është ai që ndërtoi mafien e tokës dhe për këtë do të përballet me ligjin, për shkak të përfshirjes në dhënien e lejeve të ndërtimit. Bumçi përmes një daljeje publike përmendi faktin e vetëm një orë pasi Kryeministri i vendit paraqiti aferat më të mëdha korruptive të kryera ndonjëherë, afera që kapin shumën rreth 750 milionë euro sipërfaqe ndërtimi mbi troje publike dhe grabitje të trojeve private nga klani mafioz i ndërtimit në Tiranë. “Edi Rama doli para qytetarëve shqiptarë ashtu siç ka dalë në plazhet publike të botës dhe ju tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ka të bëjë me lejet e ndërtimit. T’u thuash shqiptarëve se unë i firmos lejet, por nuk kam lidhje me to, është më mirë t’u deklarosh moton e Shvejkut: “ǒmë duhet mua me xhepin tim”. Edi Rama po bën rolin e atij që hap kasafortën me doreza dhe betohet se nuk e ka hapur me duart e tij”, - tha më tej Bumçi. Deputeti i PD-së llogariti se 750 milionë euro në 500 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi janë dëshmia e mafies që Rama ka ndërtuar gjatë viteve të qeverisjes së Bashkisë së Tiranës dhe të cilën kjo mazhorancë do ta çmontojë me forcën e ligjit.