Berisha: Këshill ligjor në qeveri kundër bosëve të mafies
I palëkundur në betejën frontale kundër mafies në vend, Kryeministri Sali Berisha ndërmerr një tjetër hap goditës ndaj fenomenit të rrezikshëm të shoqërisë sonë, atë të ngritjes së njësisë antimafie. Vetëm disa orë pasi paraqiti para shqiptarëve fakte, të cilat, sipas tij, tregonin se si fusha e ndërtimit në Shqipëri është e kapur nga mafia, Kryeministri propozoi dje në mbledhjen e qeverisë, ngritjen e këshillit ligjor në qeveri. Kryeministri Sali Berisha pohoi se kjo strukturë do të kontrollojë bazën ligjore dhe më pas do të sugjerojë vendime, që do t’i presë mafies rrugën e funksionimit. Me këtë çështje, sipas Berishës, do të merren edhe agjencitë e tjera qeveritare. “Departamenti i Luftës Kundër Korrupsionit do jetë edhe i Luftës Kundër Mafies. Një këshill ligjor do të krijohet pranë qeverisë për të ndihmuar në luftën kundër fenomenit. Detyra do të jetë sugjerimi i dekreteve për të shpartalluar mafien me forcën e ligjit”, - u shpreh z. Berisha. Ai vuri në dukje se këshilli ligjor do të ndihmojë ekzekutivin në atë që Kryeministri e cilësoi betejë të dytë pas asaj të fituar në mandatin e parë me eliminimin e një sërë bandash kriminale. Para anëtarëve të kabinetit qeveritar, Kryeministri Berisha përforcoi më tej akuzat e bëra një ditë më parë në adresë të asaj që ai e cilësoi aleanca punisto-mafioze për sa u përket abuzimeve me pronat jo vetëm në Tiranë, por që shtrihet në mbarë vendin. Ai akuzoi Ramën se po pengon investitorët e huaj që të ndërtojnë në Tiranë. Kryeministri Sali Berisha iu drejtua ministrit të Punëve Publike dhe të gjithë ministrave, z.Olldashi me pyetjen se si ka mundësi që në Shqipëri bëhen të gjitha llojet e investimeve, por asnjë i huaj nuk mund kurrën e kurrës, të ndërtojë një pallat në Tiranë. “Brenda bashkisë së Tiranës nuk ka ndonjë investim të huaj. Ndërkohë që kemi zona të tëra në Farkë, në Kashar, në Dajt, për të huajt kjo është e ndaluar në Tiranë dhe kjo sepse të huajt nuk do të pranojnë të krijojnë kartelin e çmimeve të ndërtimit. Nuk i lënë, pasi vetë marrin nga 150 mijë metra katror sipërfaqe ndërtimi. Situata është emergjente. E theksoj, më gjeni një investitor të huaj që të ketë guxuar të ndërtojë në Tiranë dhe kjo, jo se investimet në Tiranë nuk janë të leverdishme, pasi, absolutisht, çmimet në periferi të Tiranës janë të barabarta me çmimet në periferi të Berlinit, por nuk të lë mafia që të afrohen” theksoi z.Berisha. Sipas tij, kjo situatë është e patolerueshme dhe duhet të marrë përgjigjen më të fuqishme dhe se qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit, ajo nuk do të ngurojë të përdorë dekretin. I prerë në qëndrimin e tij përpara ministrave të kabinetit, Kryeministri Berisha u shpreh se tashmë ka ardhur koha e ligjit, pasi, sipas tij, kjo situatë është e patolerueshme. Ndaj, ai theksoi se qeveria do të përdorë dhe dekretin për të eliminuar ata që z. Berisha i cilësoi krerë të mafies puniste. “Qeveria do përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit. Nuk do ngurojë të përdorë dekretin. Lufta kundër mafies është emergjencë, ndaj dhe këshilli ligjor që do ngrihet, një nga detyrat do ketë sugjerimin e dekreteve të Këshillit të Ministrave për të shpartalluar mafien me forcën e ligjit”, - tha z. Berisha. Kryeministri Berisha shtoi më tej se ajo që kishte deklaruar një ditë më parë në konferencë për mafien e ndërtimit, është vetëm një pjesë, pasi, sipas tij, ajo është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë. “E dini ju këngën që këndohet në Himarë? ‘Himarës ç’i zunë sytë’... Sytë ia zunë Himarës. Një bukurie natyrore si Himara i kanë vënë perde. Mafia i vuri perde dhe aq sa e sheh detin nga Tropoja, aq mund ta shohësh prapa perdes së Himarës. Në Shqipëri bëhen të gjitha llojet e investimeve, por që një i huaj s’mund të ndërtojë një pallat në Tiranë... kurrën e kurrës. Keni ndonjë investim brenda Bashkisë së Tiranës? Keni në Farkë-fshat, zona të tëra; në Kashar, në Dajt. Në Tiranë për të huajt është e ndaluar”, - theksoi Kryeministri. Në mënyrë të qartë kreu i qeverisë bëri të ditur se mafia në vend do të luftohet pavarësisht ngjyrës politike që ajo ka.
“Nuk do të ketë ngjyra, sepse ngjyra e krimit ekonomik është më e shëmtuara. Nuk do të ketë forcë që do të pengojë këtë ekzekutiv në punën e vet. Është koha e ligjit dhe vetëm e ligjit”, - theksoi Berisha. Duke vazhduar sulmin ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, të cilin e quajti si kryetar të një klani mafioz, që, sipas tij, ka abuzuar me pronat e kryeqytetit dhe ka vendosur pasuri me vlerë 750 milionë euro, Berisha tha: “Ajo çfarë unë deklarova (parmbrëmë), ju garantoj është vetëm një pjesë dhe vetëm një pjesë, se tentakulat e saj të tmerrshme shtrihen në mbarë vendin”. Ai vuri në dukje se në rast se në mandatin e parë u çmontua një nga bandat që bënin ligjin në vend, tani kanë ngelur 'Nehatët' e kollarisur dhe bosët e mafies. Sipas Berishës, tentakulat e mafies shtrihen në mbarë vendin, ndaj dhe ministritë dhe agjencitë qeveritare kanë detyrimin e parë dhe madhor, betejën me zero tolerancë ndaj mafies.