E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, Bocsh: Është koha e dialogut në Kuvend



Ka ardhur koha që të dyja palët të fillojnë dialogun në Parlament. Ky është vlerësimi i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i cili në një deklaratë të shkurtër për mediat tha se duhet një dialog politik i qëndrueshëm. “Ka ardhur koha që të shohim një dialog politik të qëndrueshëm, normalisht në Parlament dhe po ashtu ka ardhur koha që të dyja palët të afrohen me njëra-tjetrën, duke përdorur një gjuhë më të butë", - deklaroi ambasadori Bosch. Deklarata e ambasadorit të OSBE-së vjen në të njëjtën ditë kur opozita paralajmëroi protesta të tjera dhe shpalli një strategji të re për protestat, duke kërkuar edhe largimin e qeverisë. Nga ana tjetër, ndonëse deklaratat e ndërkombëtarëve sugjerojnë dialog brenda në Kuvend, opozita ka vendosur që të vijojë protestat, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet e 28 qershorit.

Deklaratat e ambasadorit të OSBE-së u bënë dje, gjatë një aktiviteti në Kuvendin e Shqipërisë për rritjen e komunikimit elektronik të Kuvendit. Në këtë takim, ambasadori i OSBE-së tha më tej se të gjithë deputetët duhet t’i përkushtohen miratimit të legjislacionit të nevojshëm me standarde për integrimin në Bashkimin Evropian. “Së pari, të gjithë deputetët duhet t’i përkushtohen miratimit të legjislacionit të nevojshëm për përmbushjen e standardeve për integrimin në BE. Të gjithë deputetët duhet t’i përkushtohen informimit dhe konsultimit me publikun gjatë hartimit të ligjeve. Pavarësisht nga ngjyrimet politike, të gjithë deputetët duhet ta monitorojnë nga afër punën e qeverisë, duke i kushtuar vëmendje cilësisë së veprimtarisë së saj. Kështu, duket se instalimi i kabllove, kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera është pjesa më e lehtë e këtij procesi”, - deklaroi Bosch. Ai shtoi se një teknologji informacioni më e përparuar do ta bëjë Kuvendin më modern dhe demokratik. “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit vetëm sa siguron “infrastrukturën”, sepse ajo nuk është një “qëllim” në vetvete dhe e vetme ajo nuk mund ta bëjë një parlament modern dhe demokratik. Ajo është e dobishme vetëm në duart e deputetëve që janë të gatshëm të punojnë fort, me një frymë transparence dhe llogaridhënieje, për të mirën e mbarë publikut”, - shtoi ambasadori. Në fjalën e tij ambasadori i OSBE-së shtoi: “Megjithëse menaxhimi efikas i informacionit dhe aftësitë e pranueshme të përdoruesve janë thelbësore për këtë qëllim, nevojiten gjithashtu përpjekje të mëtejshme nga deputetët, personeli i Parlamentit dhe publiku i gjerë, me qëllim që këto instrumente të jenë sa më të dobishme. Metodat ekzistuese të punës dhe ndarja e përgjegjësive, përfshirë këtu rregullat procedurale të Parlamentit, duhet të pësojnë ndryshime ose, nëse është e nevojshme, le të hartohen nga e para”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›