Berisha: Rama në Guinnes, e do Kryeministrin me imunitet
Ka hallin e miliarderëve në krye të PS
Kryeministri Sali Berisha ironizoi dje qëndrimin e kryesocialistit Edi Rama, për të mos votuar kufizimin e imunitetit më datë 6 gusht, edhe pse drafti u hartua me konsensus. Berisha tha se Edi Rama me qëndrimin e tij do të hyjë në librin Guinnes, pasi është i vetmi kryetar i opozitës që e do Kryeministrin, ministrat dhe zyrtarët e lartë me imunitet. Duke folur për datën 6 gusht, shefi i maxhorancës theksoi se vendimi për të votuar ndryshimet kushtetuese më 6 gusht nuk është marrë nga njëra palë, por me dakordësi në Konferencën e Kryetarëve. Unë e ftoj zotin Rama të votojmë kufizimin e imunitetit, përndryshe do të hyjë në librin Guinnes si i vetmi kryetar opozite në botë që e do Kryeministrin e tij me imunitet. Do tu thotë socialistëve se Sali Berisha do ketë imunitet?! Zoti Rama nuk e ka hallin te Sali Berisha, as tek ministrat, por te klubi i miliarderëve në krye të PS-së. Nuk ka diskutim që një gjykatës, para se të marrë një vendim të padrejtë kundrejt pasurimit të tij të paligjshëm, në rast se është pa imunitet, mendohet tri herë. Nuk ka dyshim se një ministër a zyrtar, kushdo qoftë ai, para se të përdorë pushtetin për pasurim të paligjshëm, mendohet tri herë, deklaroi Berisha.
Artan Zeneli, PD e zgjedh në Gjykatën e Lartë
Parlamenti pritet të miratojë sot dekretin e ish-Presidentit Bamir Topi për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli. Dekreti i kreut të shtetit kishte dalë që më 1 shkurt, por vetëm në ditën e parafundit të punës së Presidentit, Komisioni vendosi ta marrë në shqyrtim. Komisioni i Ligjeve e miratoi dy ditë më parë vetëm me votat e maxhorancës dekretin e Artan Zenelit për në Gjykatën e Lartë dhe, i vetmi nga demokratët që votoi kundër, ishte deputeti Enkelejd Alibeaj. Bazuar në dokumentacionin që na është servirur, nuk ka asnjë fakt që të japë rrethana të plota dhe të sakta për të gjykuar mbi përmbushjen e ligjshmërisë dhe meritën e kandidatit. Edhe vetë kandidati e ka parë jo të dobishme që të japë të dhëna me meritat për të plotësuar kriterin ligjor të të qenët jurist i shquar, u shpreh ish-ministri Alibeaj.