Ekonomia në ngërç, ulet në 4% norma e interesit e lekut
Norma e interesit për lekun është në një nivel të ri historik. Këshilli i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë vendosi dje ta ulë atë me 0.25 për qind duke e çuar kështu në 4 për qind. Në fjalën e Guvernatorit sërish argumenti i kësaj uljeje është stimulimi i ekonomisë e cila duket se për momentin është në ngërç. Në opinionin e Këshillit Mbikëqyrës, lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare në ekonomi do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme. Njëkohësisht, ky lehtësim do të nxitë më tej aktivitetin ekonomik në vend, duke rritur stimulin monetar në mbështetje të kërkesës së brendshme tha dje Guvernatori Ardian Fullani.
Kërkesa dhe kredia
Uljet e njëpasnjëshme të bëra nga Banka e Shqipërisë për normën e interesit kanë pasur një efekt minimal nëse vlerësimin e bëjmë mbi treguesit e konsumit të ulur në vend, kërkesës për kreditim apo kërkesës së jashtme. Individët kanë preferuar të kursejnë dhe nga ana tjetër të mos kërkojnë kredi për investime në kohë të tilla të vështira. Sjellja konsoliduese fiskale është shoqëruar me rënie të huamarrjes së sektorit publik, ndërkohë që edhe agjentët privatë të ekonomisë kanë shfaqur një kërkesë të ulët për financim. Kredia për sektorin u rrit me 7.5% në muajin maj, duke ndjekur trendin e ngadalësimit të nisur që në fund të vitit të kaluar. Ecuria e saj, përveç kërkesës së ulët të bizneseve dhe individëve, reflekton edhe sjelljen e kujdesshme përzgjedhëse të bankave në kredidhënie tha Fullani.
Ekonomia
Kushtet aktuale në të cilat është sot ekonomia kur sipas INSTAT në tremujorin e parë pati një rritje negative e kanë vënë Bankën e Shqipërisë në një pozicion të ri të rishikimit të parashikimeve. Guvernatori Ardian Fullani tha dje se këto parashikime janë në kahun rënës. Ecuria e faktuar e aktivitetit ekonomik në vend dhe informacioni i filtruar nga tregues të tërthortë mbi të kanë zhvendosur në kahun rënës projeksionet tona bazë për ecurinë ekonomike në pjesën e mbetur të vitit. Ekonomia vendase pritet të ketë një ecuri të ngadaltë në pjesën e mbetur të vitit, e kushtëzuar nga dobësia e kërkesës së brendshme dhe të huaj tha Fullani.

NERTILA MAHO