E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambalazhet, 50% ulje të taksës për ata që riciklojnë plastikën

Qeveria ka vendosur të nxitë industrinë ricikluese të mbetjeve të gjeneruara në vendin tonë. Përmes një vendimi të miratuar ditën e djeshme që sjell ndryshime në ligjin Për taksat kombëtare sanksionohet se përdorimi i ambalazheve të prodhuara nga mbetjet e gjeneruara në vend dhe të ricikluara do të taksohet më pak. Më herët për ambalazhet plastike është vendosur taksa prej 100 lekë/kilogrami si për importin ashtu dhe për prodhimin vendas por me vendimin e ri ndryshon taksimi për ricikluesit. Taksa e ambalazheve njëpërdorimshme të plastikës caktohet në masën 100 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Vetëm për industrinë vendase të riciklimit, taksa për ambalazhet, të prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend, caktohet në masën 50 lekë/kg thuhet në vendimin e qeverisë. Taksa për ambalazhet në import mblidhet nga administrata doganore ndërsa për prodhimin vendas nga ajo tatimore. Por për ata që do të duan të paguajnë më pak duke u orientuar drejt përdorimit të ambalazheve të prodhuara nga riciklimi do të ketë nevojë për procedura që vërtetojnë këtë përdorim. Taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend caktohet në masën 50 lekë/kg, me kusht që subjekti të provojë këtë fakt me anë të kartës teknologjike të prodhimit, deklaratave të importimit të lëndëve të para si dhe dokumentimit të blerjeve të lëndëve të para brenda vendit thuhet në vendimin e qeverisë. Po kështu i njëjti vendim përcakton se taksa e ambalazheve njëpërdorimshme të qelqit caktohet në masën 10 lekë/kg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›