Berisha: Rama, përpjekje mafioze
Kryeministri Sali Berisha kritikoi dje në mbledhjen e qeverisë qëndrimin e opozitës për anulimin e koncesioneve në hidrocentrale. Sipas tij, akuzat e PS-së për të përbaltur koncesionet, të cilat ai i quajti të tipit mafioz, u hodhën poshtë si të pavërteta.
Përpjekjet për ta baltosur këtë proces përfunduan që të gjitha aty, ku e kanë vendin shpifjet e trillimet. Përpjekjet e stilit e të tipit më mafioz, për të bërë presion mbi fituesit e këtyre koncesioneve, duke përbaltur një proces të ndershëm, ishin kryekëput shprehje e interesave të pandershme të grupeve dhe rretheve të caktuara, të akuzave që u faktuan që të gjitha, pa asnjë përjashtim, të pabaza, të pavërteta, trillime dhe shpifje, u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se pasi doli se ato ishin tërësisht trillime, nga sirtarët u nxor qëndrimi i ri, i cili ishte anulimi i tyre. Me këto praktika, sa të rrjedhë në det uji i lumenjve, ata që ngrihen kundër zhvillimit të vendit të tyre nuk mund të vijnë ndonjëherë në pushtet. Të deklarosh se do të anuloj ndërtimin e 320 hidrocentraleve, do të thotë të mbledhësh të gjitha fuqitë negative të natyrës dhe ti derdhësh kundër vendit tënd, për të sterruar një proces jetik, në të cilin asetet, pasuritë shndërrohen në vlera.
Reagimi i Ramës
Por pas akuzave të Kryeministrit, Rama u përgjigj duke thënë se Berisha po mbron interesat e mafies për sa i përket linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Gjatë një deklarate dje për shtyp nga selia rozë, Rama i kujtoi Kryeministrit se ishte ministri i koalicionit qeveritar që kishte kërkuar shpjegime për projektin. Nuk e di nëse tek mafia ai fut edhe partinë e koalicionit të tij, që përmes ministrit të saj ka mbajtur qëndrim të kundërt me Kryeministrin, por kjo është një çështje që u takon ta zgjidhin me njëri-tjetrin se kush është me mafien e kush është me interesin kombëtar e publik në këtë rast. Kryeministri foli për çmimin e ofertës së kompanisë fituese dhe pretendoi se ne, opozita, mbrojtkemi ofertën me çmimin më të lartë. Ndërkohë që, e vërteta është se ne mbrojmë pikëpamjen se bllokimi i këtij projekti është haptazi kundër interesit kombëtar e publik, duke e bazuar kundërshtinë tonë ndaj pretendimit të tij për ofertën me çmimin më të lartë tek qëndrimi teknikisht shumë korrekt i bankës gjermane, e cila shumë qartësisht ka përcaktuar kritere të bazuara në radhë të parë te vlerësimi teknik i ofertës e vetëm pastaj tek çmimi, u shpreh Rama.
Reagimi i PD
Pas deklaratave të Ramës, reagoi selia blu përmes zëdhënëses Silvi Bardhi. Zoti Rama, të gjithë shqiptarët e dinë mirë se këtu bëhet fjalë jo për ndërtimin apo mosndërtimin e linjës së interkonjeksionit, por për shpalljen fituese të kompanisë që ka ofertën më të mirë duke u kursyer qytetarëve shqiptarë së paku 1 miliardë e dyqind milionë lekë nga borxhi i tyre për të cilin Ti bërtet çdo ditë, tha zëdhënësja e PD-së.
ADI SHKEMBI