E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli me homologun japonez: Të rrisim bashkëpunimin ekonomik

Topalli me ministrin e Ekonomisë së Japonisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ftuar dje homologun saj japonez, ministrin e Ekonomisë dhe biznesin japonez, që të vizitojnë dhe të eksplorojnë mundësitë për të investuar në Shqipëri. Kërkesa e Topallit erdhi gjatë takimit me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të deputetëve të Japonisë, Takahiro Yokomichi. Topalli shprehu rëndësinë e nxitjes së vizitave të ndërsjella të grupeve të miqësisë apo të komisioneve të ndryshme parlamentare. Unë i besoj fort diplomacisë parlamentare dhe rolit të saj për të inkurajuar bashkëpunimin ekonomik. Shqipëria sot ofron shanse dhe potenciale të rëndësishme për investitorët e huaj. Vizita juaj në Tiranë do të shënojë një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy vendeve, deklaroi ajo. Ndërkaq, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Yokomichi, ndau të njëjtin mendim me kryeparlamentaren Topalli, se bashkëpunimi parlamentar bëhet nxitës edhe për bashkëpunim ekonomik në ato fusha ku ka interes reciprok si turizmi, sektori i minierave dhe ai energjetik. Unë vlerësoj shumë faktin që ju shoh të vendosur dhe gjithë pasion për të promovuar vendin tuaj. Me takimet dhe bisedat e sotme, ju keni ndarë shumë mendime me ne, duke nxitur për hapa të tjerë konkretë bashkëpunimi. Dhomat e Biznesit duhet të përcjellin mesazhin se vendi juaj ofron potenciale me interes për investitorët japonezë. Bashkërisht duhet të nxisim ministrat tanë të Ekonomisë por dhe të fushave të tjera të shkëmbejnë vizita për të parë të gjitha mundësitë, theksoi Yokomichi. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi kurajën dhe angazhimin, me të cilin populli japonez në një kohë shumë të shkurtër arriti të fshijë gjurmët e shkatërrimit natyror në zonat e prekura nga tërmeti. Gjatë vizitës, kryetarja Jozefina Topalli zhvilloi edhe një takim me ministrin e Ekonomisë së Japonisë, Yukio Edano, me të cilin bisedoi mbi mundësitë që Shqipëria i ofron biznesit dhe kompanive japoneze. Kryetarja e Kuvendit zhvilloi edhe një vizitë në kompaninë prestigjioze SONY, ku u njoh nga afër me realizimet më të fundit në fushën High Tec, si dhe në kompaninë tjetër të fuqishme Japan Tabaco, e cila kohët e fundit ka zgjeruar aktivitetin e saj duke operuar edhe në fusha të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›