E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ekonomia ka ngecur, modeli Berisha pas meje kiameti

Tryeza e djeshme e PS

Kryetari socialist Edi Rama tha dje në tryezën e programit Një Rilindje Shqiptare për strategjinë e zhvillimit kombëtar se modeli i zgjedhur nga qeveria aktuale është ai i rrënimit të resurseve të vendit. Sot ekonomia shqiptare ka ngecur, sepse ka arritur në një shkallë ezaurimi, pa model të qëndrueshëm zhvillimi të shumë potencialeve të vetë vendit. Sot ekonomia shqiptare ka ngecur, sepse modeli i zgjedhur për ta zhvilluar atë dhe për të zhvilluar vendin, është një model pa largpamësi. Është modeli i shfrytëzimit të burimeve dhe të potencialeve të vendit në mënyrë barbare, duke privilegjuar fitimin e atypëratyshëm dhe duke mos menduar për të nesërmen. Është një model, që me një fjali të vetme mund të përkufizohet me shprehjen pas meje u bëftë kiameti. Faktikisht, sot nuk është as e rastit dhe as jo domethënëse, që Shqipëria nuk e ka një plan të përgjithshëm kombëtar. Sipas përcaktimeve të Parlamentit, duhet ta kishte tanimë prej kohësh. Por, jo vetëm nuk e ka, por nuk ka asnjë ide dhe nuk ka asnjë program për ta disponuar këtë plan, përpara sesa vendi të tkurret ende më shumë deri në nivelin e humbjes së burimeve dhe potencialeve të veta më të rëndësishme dhe pastaj të mos ketë plan që ta rikuperojë dhe ta kthejë në një start nga ku mund të ndërtohet një model zhvillimi i qëndrueshëm, u shpreh Rama. Kryesocialisti ngriti shqetësimin se nuk ka ende një plan  të përgjithshëm kombëtar për zhvillimin në vend. Ai theksoi se me instrumentet që kemi sot në dispozicion, është shumë i vështirë realizimi i një plani zhvillimi kombëtar, por kjo do të bëhet e mundur brenda 2 viteve të mandatit socialist. Mungesa e planit të përgjithshëm kombëtar është një boshllëk i qëllimshëm për të zhvilluar operacione me kosto të lartë për vendin dhe me përfitime të mëdha për ata që i ezaurojnë ato operacione, deklaroi Rama. Duke folur për zhvillimin ekonomik në vend, Rama iu referua raportit të fundit të FMN-së për rritjen ekonomike. Sipas tij, shifrat e publikuara nga FMN faktojnë se parashikimet e qeverisë nuk kanë qenë konform realitetit. Në vitin 2011, në muajin prill FMN parashikoi një rritje 3.4 % dhe më pas, në muajin shtator e uli me 2.5% e më pas u ul në 2% si parashikim dhe ndërkohë sot, në prill të vitit 2012, FMN deklaron rritjen ekonomike 0.5%. Shqipëria po hyn në projeksionin e parashikuar prej nesh më pak se 2 vite më parë, të një kurbe në rënie. Sot ekonomia shqiptare ka ngecur, sepse modeli i zgjedhur është një model pa largpamësi, është modeli i shfrytëzimit të burimeve dhe potencialeve të vendit në mënyrë barbare, duke mos menduar për të nesërmen, u shpreh Rama. Eduart Shalsi, kreu i grupit të punës për planifikimin urban, një nga çështjet e trajtuara sot në tryezë, deklaroi se Shqipëria ka nevojë për një marrëdhënie të re me mjedisin. Sipas tij, Shqipëria ka territor të degraduar, lumenj e pyje të prerë në mënyrë barbare, tha ai, ndërsa nënvizoi se programi i Rilindjes Shqiptare u jep zgjidhje problemeve urbane e atyre të mjedisit. Sipas Shalsit, Shqipëria sot është vend i paradokseve, për të cilën thuhet se ka rritje ekonomike, e nga ana tjetër nuk ka vende pune.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›