Topi:Shqipëria mbështet stabilitetin e Maqedonisë

Kreu i shtetit Bamir Topi ka nisur sot vizitën në Maqedoni ku është pritur nga homologu i tij Gjorgje Ivanov. Duke iu referuar situatës së sigurisë në Maqedoni , kreu i shtetit Topi theksoi se Shqipëria mbështet fuqishëm stabilitetin e këtij vendi.
Sipas Topi është domosdoshmëri vazhdimi i frymës së harmonisë mes dy vendeve tona ndërsa shtoi se është me rëndësi zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Nga ana e tij, presidenti maqedonas Ivanov ka theksuar se është në interes të rajonit që të prodhojmë vetëm lajme pozitive.
Dy presidentët diskutuan gjithashtu edhe për rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik si dhe për integrimin euro-atlantik.
Gjithashtu dy presidentët Topi dhe Ivanov do të vizitojnë edhe varrin e Goce Dellçev në Kishën e Shën Spasit, ku do të vendosin kurora me lule.
Kreu i shtetit do të takohet pasdite me kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, më pas takimet me kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërsa një darkë pune solemne në mbrëmje është organizuar nga zëvendëskryeministrja për evrointegrime Teuta Arifi.
Në ditën e tretë të vizitës së tij në Maqedoni, presidenti Topi do të marrë pjesë në hapjen e Panairit me produkte të vendit dhe investime të huaja në Shkup.
Më pas, kreu i shtetit do të takohet në Tetovë me liderët e partive shqiptare. Presidenti Topi fillimisht do të qëndrojë në selinë e PDSH-së në takimin me kreun e kësaj partie Menduh Thaçi, ndërsa më pas vijon takimi me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
Në kuadër të vizitës, presidenti Topi pasdite do të vendos lule në memorialin e Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Derralla në fshatin Gradec të Gostivarit