Durrës, plagosi me armë të shoqin, burg pa afat për 31-vjeçaren
Gjykata e Durrësit ka lënë në burg pa afat 31-vjeçaren Leonora Zaçellari, e cila plagosi me armë bashkëshortin e saj pas dhunës që ai ushtronte mbi të. Avokati mbrojtës i saj ka deklaruar se ngjarja ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme në rrethanat kur i shoqi po e dhunonte fizikisht dhe kërcënonte me pistoletë se do e vriste.
Ndërkohë përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe lënien në burg pa afat për Zaçellarin, që akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Familjarët e saj kanë deklaruar se do të kërkojnë rikualifikim të ngjarjes, pasi Leonora ka reaguar në mbrojtje të jetës.
Leonora qëlloi me 6 plumba të mërkurën e kaluar mbi Përparimin, babain e dy fëmijëve të saj. Zaçellari ka deklaruar se ka qenë viktimë e dhunës familjare prej shumë vitesh, ndërsa i shoqi kishte krijuar një marrëdhënie jashtëmartesore që kishte acaruar dhe më shumë marrëdhënien mes tyre.
20 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Durrës, plagosi me armë të shoqin, burg pa afat për 31-vjeçaren burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email