Berisha: Rama riktheu bijtë e bllokut në PS

Kryeministri Berisha ka vijuar me sulmin ndaj kreut të opozitës Edi Rama duke theksuar se ai bëri të mundur rikthimin e bijëve të bllokut në krye të PS-së. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha duke iu referuar sërisht, 21 vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha theksoi se kjo duhet të jetë një ditë reflektimi për të gjithë.
“Në 20 shkurt 1991, qytetarët e zemëruar të Tiranës u vërsulën drejt bllokut për shembjen e diktaturës, PD ia doli të përmbajë zemërimin e tyre në përputhje me platformën e saj të ndërrimeve paqësore. Por sot pas 21 vjetësh lagjja është shndërruar në një nga lagjet e haresë së qytetit, kurse atje janë mbledhur përsëri bijtë e bllokut. Po historia duhet parë drejt e në sy, kjo nuk ndodhi pas vitit 92, e vërteta kjo është ndonëse ne bijtë përgjegjës për etërit nuk i mbajmë, kjo nuk ndodhi as dhe në vitin 2000. Ky rikthim i bijve në kreu të PS përbën vepër të Edvin Ramës, kjo është e vërteta. Ai i mblodhi ku ishin dhe ku s`ishin, madje i solli dhe nga emigracioni duke u premtuar majën që humbën etërit” theksoi Berisha.
Ai sërish akuzoi opozitën dhe kreun e saj si përgjegjës për bllokimin me dy vite të procesit të integrimit të vendit në BE, duke i bërë apel të çlirohet nga mentaliteti dhe nga e shkuara. “Dy vite me radhë përdorën pushtetin për të bllokuar procesin e integrimit. Pas dy vitesh që qeveria bëri gjithçka për të bashkëpunuar me opozitën por natyrisht duke qëndruar në ligjet dhe kushtetutën e vendit, pas dy vitesh bllokim pranoi ato që i ishin ofruar dy vite me radhë duke fërkuar duart se kishte penguar statusin por shqiptarët i dhanë përgjigjen e merituar në 8 maj” ka shtuar Berisha.
Ai ka theksuar se mazhoranca ështe e gatshme për të bashkëpunuar në përmbushjen e reformave të rëndësishme për vendin duke i lënë edhe hapësirat e nevojshme por ato do të jenë brenda kuadrit ligjor.
“Ne jemi të gatshëm për reforma dhe opozita i ka të gjitha hapësirat por jo jashtë kuadrit logjor të këtij vendi, asgjë jashtë shtetit ligjor dhe funksionit të tij.Uroj gjithashtu që udhëheqja aktuale e opozitës të çlirohet në interesin e saj më të mirë por edhe të vendit nga psikologjia e etërve e cila nuk ka asnjë të ardhme” ka shtuar më tej Berisha.
Gjithashtu kreu i qeverisë ka informuar qytetarët në lidhje me situatën aktuale në të gjitha qarqet e emergjencës si pasojë e dëborës.
“Gjithnjë dua të falenderoj qytetarët e këtyre qarqeve, qeveritë vendore, ju zotërinj deputetë, strukturat e intitucioneve qëndrore në këto qarqe dhe në qendër për angazhimin e tyre efiçent dhe total në përballimin e një situate të paprecendë. Ky ka qënë operacioni i emergjencës më masiv në historinë e vendit i shtrirë nga Alpet e veriut gjer në vargmalet e juglindjes së vendit. Dua të theksoj këtu se në një kohë rekord janë realizuar lëvizje dhe heqje e milionave metërkub dëborë në rrugët e këtyre qarqeve” ka shtuar më tej Berisha.
vijon..