Meta: Aksione konkrete në ndihmë të zonave të bllokuara

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka vizituar ditën e djeshme Komunën Trebinjë në qarkun e Korçës e cila gjendet në një situatë tepër të vështirë për shkak të reshjeve të jashtëzakonshme të dëborës. Meta ka parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e shumta të dëborës dhe ka siguruar banorët e këtyre zonave që do të ketë të gjithë vëmendjen e qeverisë për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë.
Sipas Metës pavarësisht nga këto vështirësi këtu punohet për të hapur rrugët vazhdimisht dhe pavarësisht pengesave jeta vazhdon normalisht, përpjekjet janë të mëdha për të realizuar komunikimin dhe transportin.
"Sikurse ju e shikoni jeta këtu po vazhdon dhe do të vazhdojë falë përpjekjeve të shkëlqyera drejtuesve të pushtetit vendor dhe të të gjithë atyre që në këto momente ndjehen pranë këtij komuniteti të mrekullueshëm dhe besoj se në ditët e ardhshme do të ketë aksione të tjera konkrete në ndihmë të këtij komuniteti të mrekullueshëm të Trebinjës dhe të të gjithë Mokrës", tha ndër të tjera kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ndërkohë për tu ardhur në ndihmë banorëve LSI-ja ka dorëzuar një sasi të konsiderueshme ndihmash për të gjitha familjet e këtij komuniteti.