Berisha: Rama, shefi i mafies më të rrezikshme në Evropë
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha ashpërson aku-zat ndaj kreut të PS-së, Edi Rama duke e cilësuar si drejtues të një grupi mafioz në Tiranë.
Kreu i maxhorancës doli dje në një konferencë për median për të njoftuar vizitën në Vatikan në 12 dhjetor, por gjithashtu ka shtuar dozën e akuzave ndaj liderit të PS-së. Berisha theksoi se nuk ka dashur të reagojë më përpara, pasi ka pasur preokupimin se Rama mund të bojkotonte zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Jo se nuk mund të ndërhyja si Kryeministër, sepse mund të ndërhyja, por kisha një vetëdije të thellë se, midis përballjes me mafien e egër të kryeqytetit, që e kryeson kryetari i bashkisë dhe unë do të sjell faktet më flagrante për këtë, kam premtuar dhe angazhimit të forcës së tij politike në procesin zgjedhor, e dyta ishte interesi i çdo shqiptari”, theksoi Berisha. Duke iu referuar pyetjes së gazetarëve për këto akuza, kryeministri theksoi se: “Rama drejton mafien më të rrezikshme. Sigurisht, ju duhet ta dini se në Tiranë është e vendosur mafia më e rrezikshme në Ballkan dhe në Evropë”. “Kthehuni pak pas në kohë. Kur kam qenë në opozitë, kam deklaruar se kjo është lavatriçja më e madhe e parave në Ballkan. Të jeni të bindur se e kam bërë me bindjen time më të thellë. Unë e di se secili prej jush mund të më thotë se çfarë bëre ti katër vjet. Por mos harroni një gjë, ndodhën disa procese, se shefi i lavatriçes së parave të pista dhe i mafies së kryeqytetit, u bë kryetari PS-së”, theksoi Berisha. Duke iu referuar rrezikut për bojkotin e zgjedhjeve, kreu i PD-së tha se akti i parë ishte në vitin 2006, ku ai ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. “Kjo është e dokumentuar. Ai e bëri me qëllimin e vetëm për të më treguar mua se procesi elektoral është mburoja ime dhe, në qoftë se ti mban pikëpamjet që ke pasur, harroje se unë hyj në zgjedhje. Kurse unë kisha zgjedhjet si mekanizmin themelor të një shoqërie të lirë dhe duhej t’u faktoja shqiptarëve se cili ishte Sali Berisha për zgjedhjet, i cili kishte bërë zgjedhje në korrik 2002, i kishte humbur dhe i kishte pranuar, kishte humbur referendumin dhe e kishte pranuar. Në 96-ën ia thyen vazon, sepse u larguan 2 orë para”, theksoi Berisha. Ai kontestoi thëniet e PS-së se “nuk na duhen ndërkombëtarët”. Sipas tij, kjo ndodh sepse “mafia ka vetëm interesa kriminale. Cilat janë këto interesa? Janë pushtimi i trojeve, fshehja e taksave, evazioni i madh, mbytja e konkurrencës, etj. Mirëpo këto gjëra kanë marrë fund. Ne kemi shpallur si përparësi absolute; “darët e ligjit” për dhëmbët, dhëmballët dhe nofullat e mafies”. Në lidhje me akuzat për abuzime me familjen kryeministri bëri të ditur se ka thënë vetëm të vërtetat. “Unë gjykoj se qëndrimi tim, është një detyrim madhor moral dhe një mbrojtje e nënës, e vajzës, e motrës, e gruas shqiptare. Absolutisht, nuk ka dhe nuk mund të ketë qëllim tjetër. Por zëri im, absolutisht nuk do të mund të heshte para akteve të tilla. Në rast se një qytetar i thjeshtë do të kryente këto akte, çfarë do të thoshin këta zotërinjtë që bëjnë gjethen e fikut? Por, kur këto i kryen një personalitet publik, të derdhësh lot krokodili se nuk është shëmtia e akteve që duhet dënuar, por denoncimi i tyre, atëherë zoti të mëshiroftë shpirtin dhe normat që ke”, theksoi Berisha. Ndërsa shtoi se për mandatet e deputetëve të PS-së do të zbatohet kushtetuta.