E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, Fyhreri që hyri në PD nga diktatura

 

Aristir Lumezi
“Berisha, Fyhreri që hyri në partinë e demokratëve shqiptarë nga korridori i diktaturës komuniste”.
Në 65 vjetorin e çlirimit të vendit dhe në një auditor me veteranë dhe aktivistë antifashistë, kreu socialist akuzoi kreun e PD-së se është vazhdim i së shkuarës komuniste, madje e krahasoi atë me Hitlerin. “Shëmbëlltyra rrëqethëse e rrethit vicioz ku e shkuara mban peng shoqërinë tonë përmes një Fyhreri që hyri në partinë e demokratëve shqiptarë nga korridori i diktaturës komuniste. Gjuha e urrejtjes mohuese, përjashtuese, denigruese ndaj opozitës sot s’është asgjë tjetër veçse fantazma e fashizmit të vjetër që shfaqet deri në foltoren e parlamentit me tërbimin e vet karakteristik” tha Rama. Këtë deklaratë Rama e tha gjatë fjalës së tij në konferencën me temë “Nga Antifashizmi në Demokraci Funksionale”, mbajtur pas homazheve në varrezat e dëshmorëve. Në fjalën e tij kreu socialist tha se edhe pas shembjes së komunizmit, në Shqipëri mungon liria në të gjitha kuptimet e saj. Kryesocialisti e cilësoi Berishën si zëdhënës të së shkuarës ndërsa siguroi se socialistët nuk do ti përgjigjen me të njëjtën përbaltje njeriut që drejton qeverinë dhe demokratët.
“Sot liritë dhe të drejtat kërcënohen si s’ka më keq duke filluar nga liria e të gjitha lirive, ajo e votës dhe nga e drejta e të gjitha të drejtave, ajo e numërimit të ndershëm të votës. Partia Socialiste e socialistët shqiptarë dhe diktatura komuniste nuk janë vazhdim i njëri tjetrit. Ndërsa njehsimi i tyre në gjuhën e politikës së vjetër të ditës, s’është kurrgjë veç keqpërdorimi i vuajtjeve të djeshme njerëzore për përfitimet e sotme politike për pushtet e para përmes pushtetit. Nuk janë vazhdim i njëra tjetrës as Lëvizja Demokratike e demokratët shqiptarë me diktaturën e re të korrupsionit në Shqipëri. Ndërsa gjuha e urrejtjes mohuese, përjashtuese, denigruese që shfaqet ndaj opozitës sot, s’është asgjë tjetër veçse fantazma e fashizmit të vjetër që shfaqet deri në foltoren e parlamentit me tërbimin e vet karakteristik në të gjitha vendet e kohërat”, u shpreh Rama.
Homazhet
Partia socialiste dhe aleatët e saj përkujtuan dje 29 nëntorin, 65 vjetorin e çlirimit të vendit. I shoqëruar nga deputetë socialistë, Rama tha se sikundër e daton edhe historia shqiptare ka vetëm një datë çlirimi dhe ajo është 29 nëntori i vitit 1944.
Kryetari i Partisë Socialiste ka vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri” në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Në këtë ceremoni nën tingujt e marshit përkujtimor vendosën kurora me lule shumë figura të spikatura të jetës politike dhe shoqërisë civile. Deputetë të Partisë Socialiste të qarkut Tiranë, ish presidenti Rexhep Meidani, drejtues të partive të majta Skënder Gjinushi e Paskal Milo, ish drejtues të LSI, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Ndre Legisi, Mustafa Muci, kujtuan sot në heshtje veprën e madhe të dëshmorëve. Në të njëjtën kohë që kryeministri Sali Berisha akuzonte kreun e socialistëve për veprime të pamoralshme, Aneta Rama, nëna e Edi Ramës është shfaqur dje në mesditë në krah djalit të saj në një ceremoni të organizuar nga i biri me rastin e Ditës së çlirimit. E pyetur sesi do t’i përgjigjej Berishës për akuzat ndaj familjes Rama që ditët e fundit kane mbushur shtypin, Aneta nuk pranoi të deklarohet “Nuk dua të flas për këtë”. Nëna e Edi Ramës theksoi se sot për të ka rëndësi Dita e çlirimit, festa e 29 Nëntorit duke mos shtuar asnjë deklaratë tjetër. “Unë sot kam ardhur të nderoj dhe respektoj kujtimin e vëllait tim që e kam dëshmor. Me këtë rast uroj gjithë familjet e dëshmorëve!”, u shpreh Aneta Rama.

“Klani i tokave mban peng PS”
Deputetët e PD-së, Aldo Bumçi dhe Flamur Noka kanë dalë dje në një konferencë për shtyp, ku pasi kanë mbështetur akuzat e kryeministrit Berisha ndaj kreut të opozitës Edi Rama, i kanë bërë thirrje PS-së të ndërpresë bojkotin për t’u rikthyer në Kuvend. Deputeti Bumçi deklaroi se bojkoti i opozitës është në interes të klanit të tokave, duke i bërë thirrje Ramës të çlirohet nga kapja e mafies. Kreu i PD-së së Tiranës i kërkoi kreut të opozitës të respektojë Parlamentin Evropian për t’i dhënë fund bojkotit dhe të kthehet në Kuvend. Ndërsa, deputeti Flamur Noka i bëri thirrje kreut të opozitës të mos përdorë deputetët e qarkut të Kukësit për interesat e tij personale, duke shtuar se ata po përdoren nga person i sëmurë psikik.

Shalsi: Hap kutitë ose ik bashkë me to
Deputeti socialist i qarkut Tiranë, Eduard Shalsi në përgjigje të deklaratave të dy deputetëve demokratë, i kërkoi kryeministrit Berisha të hapë kutitë. “Ligji sanksionon 29 nëntorin si datë të çlirimit, por Sali Berisha është një punist që siç hyri kundravajtje në Partinë Demokratike ashtu është në kundravajtje dhe sot teksa nxjerr flamurët e  lulet e tij për  të ndotur shtëpitë e shqiptarëve me baltë shpifjesh në ditë feste. Kutitë Sali Berisha kutitë, hap kutitë se atë krim që mban fshehur aty kundër Kushtetutës e ligjit nuk e mbulon dot me malin e shpifjeve që papagajtë thonë kur i nxjerr para shtypit, as  kur kukullat e shtëpisë tënde përsërisin shpifjet para kamerave. Kutitë Sali Berisha, hap kutitë ose ik bashkë me to”, u shpreh Shalësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›