E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama të distancohet nga Enver Hoxha

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i beri thirrje krereve të distancohen nga përpjekjet për të kremtuar 100-vjetorin e lindjes së diktatorit Enver Hoxha 

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot që Krerët e Partisë Socialiste të distancohen prerë dhe qartë nga përpjekjet për të kremtuar 100-vjetorin e lindjes së diktatorit Enver Hoxha. Berisha i konsideroi ato si "përpjekje për të përligjur terrorin, barbaritë, skllavërinë dhe izolimin që Enver Hoxha vendosi mbi Shqipërinë dhe shqiptarët".
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal në këtë çështje të cilën e konsideroi si "një çështje shumë të madhe morale dhe ligjore".
"Në një kohë kur Shqipëria po bëhet një partner gjithnjë e më i besueshëm për aleatët perëndimorë, në një kohë kur reformat e Shqipërisë po marrin një vlerësim gjithmonë e më pozitiv nga partnerët tanë, në një kohë kur jemi buzë anëtarësimit në NATO, në mënyrën më anakronike, më të papranueshme dhe më të dënueshme po bëhen përpjekje për rehabilitimin e Hitlerit të pasluftës së dytë botërore", cilësoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha denoncoi përpjekjet për festimin e 100 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, si përpjekjet më çnjerëzore, më monstruoze, më të përbindshme dhe më të paimagjinueshme që janë bërë ndonjëherë.
“Këto janë përpjekje të paimagjinueshme për të nxjerrë nga kalendat e turpit të historisë, figurën më gjakësore që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, Enver Hoxhën".
”I kërkoj kryetarit të Partisë Socialiste të lërë mënjanë të gjithë problemet e tij me të shkuarën. Problemet e tij personale me të shkuarën nuk mundet kurrë të pasqyrohen në të sotmen dhe në të ardhmen e këtij vendi”, sulmoi Berisha Ramën.
Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "duke shfrytëzuar faktin se një gjeneratë e tërë tashmë u rrit pa i njohur pasojat e tmerrshme të regjimit të tij, po bëhen përpjekje të hapura për t`ua servirur shqiptarëve ndryshe dhe për të përligjur barbaritë e tij ndaj tyre".
Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha i kërkoi kryetarit të Partisë Socialiste, që të lërë mënjanë të gjitha problemet e tij personale me të shkuarën, të cilat "kurrë nuk mund të pasqyrohen në të sotmen dhe në të ardhmen e këtij vendi".
"Loja me diktatorin, figurën më barbare, personalitetin më mizor të historisë sonë kombëtare është një dhunim i dytë që u bëhet vuajtjeve, persekutimit dhe lëndimit të shqiptarëve. Enver Hoxha ishte një diktator të cilin Europa nuk e ka njohur ndonjëherë. Ai vuri në ndjekje, persekutim, internim, burgim dhe ekzekutim së paku ¼ e këtij kombi, vuri në terrorin më të zi dhe më të egër kombin në tërësi dhe vendosi sistemin skllavërues më të tmerrshëm që kanë njohur shqiptarët 4 mijë vitet e fundit", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij "Enver Hoxha mbuloi vendin me terrin më të thellë të izolimit në tërë historinë kombëtare, ndaj dhe të përligjësh sot këto veprime është një krim i ri i shëmtuar ndaj Shqipërisë dher shqiptarëve".
Kryeministri u ndal dhe në shfaqjen e Nexhmije Hoxhës në një intervistë për një televizion. Berisha nënvizoi se se "butonat e ekranit të televizionit ku u shfaq gruaja më mizore që shqiptarët kanë patur në të gjitha kohërat në pushtet, ndodhen në zyrën e kryetarit të Partisë Socialiste".
"Kjo grua ka qenë bashkëautore e të gjitha krimeve monstruoze të burrit të saj, e cila veproi edhe pas vdekjes së tij nëpërmjet kukullave të kontrolluara si Ramiz Alia që e kishte bashkëautor në krime. Ajo vendosi firmën për ekzekutimin e 27 intelektualëve për bombën në ambasadën sovjetike dhe kontrolloi Shqipërinë deri në tetor të 90-ës", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij "është e vërtetë që Sadami vrau me gaz qytetarët e tij, por është e vërtetë gjithashtu që Enver Hoxha përveç burgjeve dhe kampeve, vrau qindra e mijëra të tjerë në sistemin skllavërues kolektivist të vendit".
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›