Berisha: Rama të kërkojë falje që kërkoi përjashtimin e Shqipërisë në KE
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi kundërshtarit të tij politik, Edi Rama të kërkojë falje publike për letrën drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku kërkonte sfidimin e kredencialeve të Shqipërisë. Në mbledhjen e radhës së Qeverisë, kreu i saj, ia kushtoi pjesën e parë, pikërisht seancës së Strasburgut dhe debateve mes maxhorancës dhe opozitës për përbërjen e delegacionit. “Duke shprehur mospajtimin tim më të madh me kërkesën e tyre, mendoj se është në dinjitetin e kësaj force politike të kërkojë ndjesë publike për veprimin që ka bërë, sepse një forcë që beson tek parimet e demokracisë kurrë nuk mund të kërkojë përjashtimin e vendit të vet nga tempulli i demokracisë, pa asnjë arsye ligjore”, u shpreh Berisha. Duke sqaruar edhe njëherë përbërjen e delegacionit shqiptar, kryeministri tha se Islami u zgjodh si anëtar i tij sepse ka qenë më parë anëtar i Asamblesë dhe do të ishte kjo e fundit, nëse do t’ia ratifikonte kredencialet. Gjithashtu sipas Berishës një tjetër arsye ishte edhe fakti që Islami mbante postin e raportuesit për Gjeorgjinë në këtë institucion. “Komisioni i Procedurës i dha kështu goditjen e merituar dhe fatale, bojkotit dhe dëshmoi se tempulli i demokracisë nuk shpërblen dhe nuk mund të shpërblejë në asnjë rrethanë bojkotin, ku ky i fundit, nuk kalon në institucionet demokratike. Atyre që bënë letrën u mbetet si një dëshmi e paprecedentë dhe tmerrësisht e rëndë ndaj qëndrimit dhe interesit vetjak, shoqëror dhe kombëtar të çdo shqiptari”, theksoi më tej kryeministri. Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje sërish opozitës të kthehet në Kuvend, duke i garantuar asaj bashkëpunim luajal. “Sërish iu bëj thirrje socialistëve të kthehen. Nuk është akt burrëror të thuash po hyj në parlament dhe po dal nga parlamenti. Megjithëse ajo është punë e tyre, unë i ftoj të hyjnë në parlament dhe i garantoj për një bashkëpunim luajal dhe në respekt të plotë të rolit të tyre në parlament”, tha kryeministri.