Strasburgu i kthen votën Shqipërisë
ADI SHKEMBIKëshilli i Evropës i rikthen kredencialet delegacionit shqiptar. Një ditë pas kërkesës së presidentit të Asamblesë Parlamentare që përbërja e delegacionit shqiptar të verifikohet, Komiteti për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në Strasburg u mblodh dje në mëngjes ku mori në shqyrtim delegacionin e Tiranës zyrtare. Me vendim unanim Komisioni hartoi një raport ku i kërkoi Asamblesë ratifikimin e kredencialeve të Shqipërisë. Në raport, i cili u citua dje në mesditë edhe nga kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli thuhet se “nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar. Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare. Kredencialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen”. Raporti do t’i shkojë për miratim seancës së ditës së enjte të Asamblesë Parlamentare, e cila voton pa debat përfundimet e Komisionit. Verifikimin e përfaqësuesve të parlamentit shqiptar e kërkoi në seancën parlamentare të Asamblesë së ditës së hënë kreu i grupit socialist, Andreas Gross, i cili hodhi dyshime mbi përbërjen e delegacionit shqiptar. “Në emër të Partisë Socialiste dua që të vë në dyshim kredencialet e delegacionit shqiptar. Ne kemi informacion të mjaftueshëm të themi që propozimet për këtë delegacion nuk përfaqësojnë përfaqësimin politik të parlamentit sipas rregullave të Këshillit të Evropës, çka vë në dyshim procedurat e mëtejshme të akreditimit të delegacionit”, tha Gross. Pas kërkesës së grupit socialist, Asambleja votoi për dërgimin e çështjes në Komisionin e Mandateve, i cili nga ana e tij doli dje me një raport përfundimtar. Në seancën e ditës së enjte do të diskutohet dhe më pas votohet edhe projekt rezoluta e dy reporterëve për Shqipërinë, David Uilshire dhe Jako Lakso, të cilët kërkojnë nga qeveria ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe nga opozita rikthimin e saj në Parlament. TopalliKryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli reagoi dje menjëherë pas marrjes së vendimit nga Komisioni i Mandateve në Strasburg duke publikuar një letër të PS-së, në të cilën sipas saj kërkohej nga KE-ja heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar. Në një prononcim për media ajo tha se “Jam sot këtu, për të informuar opinionin publik për një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë, të cilën do ta konsideroja si një atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqipërisë. Për asnjë moment nuk kam dyshuar se Këshilli i Evropës do të merrte këtë vendim për Shqipërinë. Se besueshmëria e vendit nuk rrezikohej. Kam pritur zyrtarisht këtë vendim, që zyrtarisht të përgjigjem me fjalët e Evropës dhe jo me fjalët e mija. Gjatë gjithë ditës së djeshme kam dëgjuar me durim shpifjet dhe mashtrimet e autorëve të këtyre trakteve kundra Shqipërisë, të përcjella në Strasburg me letër dhe me telefon. Kam ndjekur me durim të gjithë ata që, në media, triumfalisht dhe me kënaqësi, deklaronin se kjo ishte hera e dyte që po i shkaktonin Shqipërisë një atentat të tillë në Strasburg”. Sipas kryeparlamentares “Në fakt përsëri gënjejnë! Kjo nuk është hera e dytë, por është hera e tretë. 15 vjet më parë, zyrtarisht, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi në seancën ku do të vendosej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës se, po citoj sërish “ Molla nuk është pjekur ende”, duke votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, në vitin 1995". Ajo akuzoi kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama të cilin e akuzoi se bëri një akt njësoj si 20 vjet më parë, në kohën e Partisë së Punës. Deputetët socialistë do të takojnë socialistët evropianëRezoluta për Shqipërinë, Dade,Balla e Ahmetaj nisen në StrasburgTre deputetë socialistë takohen sot në Strasburg me socialistët e majtë të Këshillit të Evropës. Sekretarja Socialiste për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, deputetët Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj janë ftuar nga kryetari i grupit të socialistëve të Këshillit të Evropës, Andreas Gross. Në qendër të takimit do të jetë mënyra se si u caktua dhe u miratua delegacioni i Parlamentit shqiptar në Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. Gross ishte përfaqësuesi i majtë, i cili në mbledhjen e parë të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, kërkoi verifikimin e përbërjes së delegacionit shqiptar. Ishte deputetja Dade, e cila përmes një letre i kërkoi grupeve të partive politike në këtë asamble të verifikojnë përbërjen e delegacionit shqiptar, për shkak se në të opozita nuk ka anëtarët që i takojnë. Gross do të njihet nga afër me situatën politike në Shqipëri dhe marrëdhëniet e opozitës me Parlamentin. Gjithashtu deputetët socialistë pritet të takojnë dhe dy raporterët e Këshillit të Evropës, David Uilshire dhe Jako Lakso, të cilët kanë përgatitur dhe një projektrezolutë e cila do të diskutohet dhe miratohet në seancën e datës 28 janar në Strasburg. Projektrezoluta e KiE për Shqipërinë ndër të tjera i kërkon politikës shqiptare të gjejnë zgjidhje për kalimin e krizës politike. Ndërkohë ajo shprehet pro hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, por shprehet se “hapja e kutive mund të minojë legjitimitetin politik të shumicës qeverisëse”. Kjo është dhe pika ku opozita ndahet nga maxhoranca për hetimin e zgjedhjeve.