Blushi: Na inkurajuan për në Kuvend
Aristir LumeziDeputetët socialistë të mendimit ndryshe u inkurajuan dje në Bruksel për thyerjen e bojkotit. Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani zhvilluan takime dje në Parlamentin Evropian me eurodeputetë të njohur, të cilët kanë kërkuar që vendimin e tyre ta ndjekin dhe deputetë e tjerë në PS, në respekt të Kushtetutës dhe votës së popullit shqiptar. Pas takimit me deputetë socialistë shqiptarë, zv.presidenti i Parlamentit Evropian, Libor Roucek tha se bojkoti i parlamentit nuk të çon gjëkundi. “Do të dëshiroja që vendimi të merrej nga e gjithë partia para mbarimit të afatit, që do të thotë para marsit. Mesazhi im është që duhet rikonsideruar situata, jo vetëm në Shqipëri, por ka një rregull të përgjithshëm. Bojkotimi i Parlamentit nuk të çon gjëkundi, kemi shembullin e zgjedhjes së Presidentit Bush në SHBA. Shumë demokratë i vunë në dyshim zgjedhjet, por në fund u arrit që u pranua humbja. Ndoshta në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por u respektua vendimi. Mendoj se sistemi politik në Shqipëri të jetë më i bashkuar, kjo do të thotë që forcat kryesore politike të bien dakord për një strategji të përbashkët dhe mbi të gjitha të punojnë bashkë për të mirën e popullit shqiptar. Të përqendrohen te prioritetet, ku kryesori është integrimi evropian. Nëse doni të bëheni anëtarë, duhet të përmbushni disa kritere dhe kushte të caktuara. Kjo do të thotë dhe funksionim i demokracisë parlamentare”, u shpreh zv.presidenti i Parlamentit Evropian.Ndërsa eurodeputetja Doris Pack u kërkoi socialistëve shqiptarë të lenë bojkotin dhe të hyjnë në Parlament. “Unë respektoj votën e elektoratit shqiptar dhe interesave të vendit që qëndrojnë më lart se interesat e çdo partie. Por mendoj se çdokush në vend dhe sidomos Partia Socialiste duhet të dijë rregullat se si funksionon partia dhe këto rregulla duhet të jenë në një vijë me Kushtetutën e vendit. Ata kanë vendosur të hyjnë dhe kjo do të thotë diçka, është pak e vështirë sepse bie në kundërshtim me vendimin e partisë të cilës i përkasin. është e vështirë të ndërmarrësh një hap të tillë, ata nuk po veprojnë kundër PS, por po ndjekin rregullat. Këtë duhet ta bëjnë të gjithë anëtarët e partisë”, tha Pack. Deputeti socialist, Ben Blushi tha dje se në të gjitha takimet e zhvilluara në Bruksel, qëndrimi i tyre është mirëkuptuar dhe inkurajuar. “Në të gjitha takimet që kemi pasur, vendimi ynë për të hyrë në parlament është inkurajuar për vendimin që kemi marrë, për mos thënë se kërkohet si detyrim i çdo opozite demokratike, që të marrë pjesë në parlament dhe kjo është ajo që do të ndodhë”, tha Blushi. Tre deputetët socialistë takuan dje në Bruksel dhe zv.presidentin e Grupit Parlamentar Socialist, Hannes Svoboda, kryetarin dhe zv.kryetarin për Evropën Juglindore, Kukan dhe Bostinaru, Yonec Polet, koordinator i PES, Chountis, raporteri për Shqipërinë në PE.