Berisha: Rama të pranojë propozimin e Këshillit të Evropës

Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje kreu të PS-së Rama të vlerësojë propozimin e Këshillit të Evropës si një propozim tërësisht mbi palë për zgjidhjen e krizës. "I bëj thirrje Ramës të vlerësojë propozimin e Këshillit të Evropës si një propozim tërësisht mbi palë dhe interesin e vendit dhe PS-së që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese apo Strasburgut. Në rast se nuk i pëlqen ky variant të vijë në Komisonin parlamentar, pasi do ketë kryetarin dhe shumicën në komision. U çudita kur një mik në Bruksel më tha se në komision nuk është dhënë as shumica as kryetari", u shpreh Berisha.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryeministri saktësoi se mazhoranca është gati të hetojë çdo gjë në përputhje me ligjin.
"Të hetojmë çdo gjë, të bëjmë transparencë për çdo gjë në përputhje me ligjet e vendit që mundësojnë deklasifikimin e çdo dokumenti, mjafton t'i ndjekim ato", tha Berisha.
Kreu i qeverisë apeloi Ramën të lejojë autoritetet shëndetësore të mbikqyrin e grevistët duke nënvizuar se shërbimi militant është i përjashtuar në shëndetësi. "Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e vendit që të mos lejohen autoritetet shëndetësore. Mjeku ka një kod, dhe këtë nuk e zgjidh dot me militantë. Militantët që ka vendosur Rama aty mund ta bëjnë me korrektesë detyrën e tyre në një kohë kur janë fanatikë partiakë. Edhe mbikujdesja në mjekësi është e papranueshme dhe ka pasoja serioze. Në mjeksëi ka disa parime. Nuk ka mjekë që s'mund të trajtojë familjarin etij, por si rregull nuk i trajton, se emocionet i turbullojnë mendjen. Kërkesa ime është të lejojë kontrollin e përditshëm", deklaroi Sali Berisha.
Ndër të tjera, në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Sali Berisha tha se Shqipëria është vlerësuar nga OKB si vendi i dytë në botë për transparencën e procesit të prokurimeve publike.
"OKB rendit të dytin në botë sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri. Singapori e Shqipëria janë dy vende me prokurim 100% elektronik", tha ai. Berisha nënvizoi se qeveria shqiptare e shtriu procedurën elektronike me shpejtësi në të gjitha prokurimet. "Ne kemi bërë arritjen më të mirë me një nga sfidat më të mëdha që janë prokurimet", saktësoi ai.