E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama vajton për humbjen e bashkisë – ne i përsërisim ofertën për reformën zgjedhore

24-10-2011 / Gazeta 55

Libri i Edi Ramës me titullin “Kurban”, elegji për humbjen e pushtetit korruptiv në Bashkinë e Tiranës


UPDATE- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë mbledhjes javore të grupit parlamentar demokrat, se Edi Rama s’do bashkëpunimin për reformën zgjedhore dhe reformat e tjera të vendit, ndërsa mendja i rri te humbja e bashkisë, për të cilën ka nisur edhe vajtimin. Sipas kryeministrit, në një kohë që mazhoranca kërkon bashkëpunim nga opozita, lideri i PS-së, Edi Rama, gjen kohën për të shkruar një libër, që siç ironizoi kryeministri Berisha, është një vajtim për humbjen e Bashkisë së Tiranës. Berisha ka cituar edhe disa vargje, që sipas tij do t’i shkonin shumë mirë librit të ardhshëm të kryesocialistit. “Mësohet se zoti Rama, ndërsa ne përpiqemi për të promovuar reformat, ai paska qenë i mbyllur duke shkruar një libër. Kjo është një histori shumë interesante. Libri që në të vërtetë meriton titullin “ Kur hidheshin themelet e korrupsionit”, e ka gjithnjë një kthim tek libri” Kur lindi partia”, tek idhulli i tij, pra në vend që të kishte këtë titull “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në bashkinë  e Tiranës”, libri rezulton që është i tëri, një vaje për bashkinë  e Tiranës. Libri i vajeve për humbjen e bashkisë së Tiranës. Dhe në mënyrën më interesante për ta shndërruar atë, totalisht në vaje, vendos në epiqendër kurbanin, viktimën. Libri hapet me epitafin “Mbeçë more shokë mbeçë, tek dera e bashkisë, mbeçë”. “Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia sepse më iku bashkia”. Tani të shohim se si do të shkruajë vëllimin tjetër, ky zotëri. Njëherë mendova se mos ndoshta, ky do të rivalizojë me Blushin. Por është një marrëzi të tentosh të rivalizosh me Blushin, i cili ka arkivin e gjyshit të tij, sa kjo dhomë, që edhe po ti kishte Blushi tre jetë, nuk i del dot në fund. Dikush më tha se ka marrë vesh që do të finalizojë këtë librin për Enverin, sepse për Enverin - thotë ai - shkruajnë, - “ndërsa për mua nuk shkruan kush, ndaj dhe do të shkruaj unë për veten time”. Të bëjë ç’të dojë, unë e ftoj për reforma, ai pastaj le të vazhdojë me libra, “Mbeçë more shokë mbeçë, tek dera e bashkisë, mbeçë”. Këtë zgjodhi ai për epitaf”- u shpreh kryeministri Berisha.
Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Berisha i ka bërë thirrje sërish opozitës të bëhet pjesë e bashkëpunimit për hartimin e ligjit të ri elektoral. Sipas kryeministrit, mazhoranca është e gatshme të ulet në një tryezë me opozitën në komisionin për reformën zgjedhore, në kuadër të rekomandimeve të misioneve ndërkombëtare, ndërsa ka shtuar se opozita do të ketë edhe të drejtën e vetos në këtë komisionin. “Në kuadrin e rekomandimeve, ne jemi të vendosur të dëgjojmë zërin e opozitës  dhe forcave të tjera politike, për zgjidhjen më të plotë dhe më të mirë të rekomandimeve të bëra. Ky është angazhimi ynë. Unë nuk kam nënshkruar asnjë qëndrim, por përsëri e theksoj që në rast se zoti Rama dëshiron, le ti hartojë të gjitha amendamentet vetë me grupin e tij, ti dërgojë në Komisionin e Venecias dhe OSBE/ODIHR, të marrë viston prej tyre dhe ne absolutisht do ti pranojmë, sepse jemi shumë të sigurt se Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR do të mbrojnë standardet ndërkombëtare, do të rekomandojnë standardet ndërkombëtare. Kjo është ajo çka ne mund të ofrojmë. Shpresojmë që edhe opozita të vlerësojë”- tha Berisha. Kryeministri theksoi se shumica është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën edhe për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, e bazuar kjo në rregulloren e Parlamentit Europian. “Edhe ne i kemi vlerësuar seriozisht propozimet e saj, sikundër për rregulloren e Parlamentit ne jemi të gatshëm që menjëherë të fillojmë punën, bazuar në rregulloren e Parlamentit Evropian. Ne kemi një dokument bazë dhe kjo është rregullorja  e Parlamentit Evropian, e cila paraqet esencën kryesore të vlerësimit, respektit, të përfaqësuesve të kombeve të Evropës, ndaj ne, nuk kam as edhe një kundërshtim, që nen për nen ta modelojmë rregulloren e Parlamentit tonë me rregulloren e Parlamentit Evropian. Shpresoj që edhe opozita të pranojë dhe të ulemi sa më shpejt, të hapim shtegun e këtyre reformave që janë shumë të rëndësishme për vendin”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›